Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka zhvilluar një takim me zv.Shefin e Byrosë së Gardave Kombëtare të SHBA-ve, Gjeneralin me 3 yje Marc H. Sasseville.
Lajmin për këtë takim e ka bërë të ditur vetë Peleshi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehet se i ka shprehur Gjeneralit Sasseville gatishmërinë për të intensifikuar edhe më tej bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Një takim entuziast me zv.Shefin e Byrosë së Gardave Kombëtare të SHBA, Gjeneralin me 3 yje Marc H. Sasseville. Bashkëpunimi i deritanishëm në fushën e modernizimit, edukimit e trajnimit të ushtarakëve, pjesëmarrjes në misione të përbashkëta etj, do të intensifikohet edhe më tej. Projekti ambicioz i rimodelimit të Akademisë së Forcave të Armatosura – tashmë një objekt i rëndësishëm në axhendën e bashkëpunimit dypalësh SHBA-Shqipëri.
Mbështetur në partneritetin special strategjik me SHBA, Shqipëria do të mbetet leva e mbajtjes së orientimit të Rajonit tonë nga Perëndimi.”- shkruan Peleshi.
Ministri Peleshi ndodhet në SHBA së bashku me kryeministrin Edi Rama, në kuadër të sesionit të radhës të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ditën e djeshme gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, Rama u takua me miliarderin George Soros.