Spitali rajonal i Shkodrës ka reaguar lidhur me lajmin për shpalljen në kërkim të infermierit Redi Idrizit.
Sipas Policisë, Idrizi ishte i punësuar në këtë institucion mirëpo Spitali i Shkodrës thotë se i dyshuari nuk rezulton i punësuar në strukturat e tij, por është i punësuar në strukturat private.
“Lidhur me lajmin mediatik për infermierin Redi Idrizi iu bëj me dije se nuk figuron i punësuar në Spitalin Rajonal Shkodër por është pjesë e strukturave private të shpërndarjes së metadonit. Nuk është i punësuar në strukturat tonë as në varësi tonën.”- thuhet në njoftimin e Spitalit Rajonal të Shkodrës.
Infermieri është shpallur sot në kërkim si pjesë e një grupi kriminal të shpërndarjes së drogës në Shkodër. Ai së bashku me të dyshuarin tjetër Arjan Cerjanin, akuzohen se shkëmbenin medikamente dhe anëtarët e tjerë ua shisnin personave që trajtoheshin për lëndët narkotike.