Ish-kryeministri Berisha ka akuzuar kreun e PD-së Basha se ka dëmtuar partinë që prej ardhjes në krye të saj.
Në foltoren e tij në Vlorë me simpatizantë ai theksoi se nën drejtimin e Bashës, nga partia janë larguar të rinjtë, ka humbur demokracia e janë ekzekutuar e larguar kundërshtarët politikë të kryedemokratit.
“Nën drejtimin e Bashës, nga partia janë larguar të rinjtë, janë larguar kundërshtarët politikë, ka humbur demokracia e brendshme. Ballkani i Hapur vjen në kundërshtim të qartë me Nismën e Berlinit. Rroftë Kosova që nuk e pranoi nismën e Ballkanit të Hapur, nismë antikombëtare e Ramës e Vuçiçit për të rrethuar Kosovën. Sot pas 30 vites ne nuk votojmë, nuk pyesim forumet. PD drejtohet nga një njeri që nuk pyet asnjë nen, asnjë ligj të partisë. Do bëjmë gjithçka të ngrihemi në këmbë. Edi Rama kërkon të zhdukë pluralizmin me pengmarrje e pengjet e tij.” – tha Berisha.
Ai theksoi se shpallja non-grata e tij ka ardhur nga lobimi i Soros në Departamentin Amerikan. Ai e akuzoi Soros se ka kapur plotësisht drejtësinë në vend duke e përdorur atë kundër kundërshtarëve të tij në vend.
“Goditja ime erdhi pasi iu kundërvura projektit të Sorosit për ndarjen e Kosovë e më pas minischengenit ballkanik. Soros kapi reformën në drejtësi dh i futi të gjitha OJQ-të nën sqetullën e tij. Drejtësia sot drejtohet sot nga vëllezër e kunetër të ish-ministrave e zyrtarëve socialistë. Në vetting u përdorën standardet më të dyfishta ndonjëherë. Për Dvoranin ish-prokurori mizor të të rinjve të Shkodrës nuk ishin konflikt interesi 9 gjykime për Albtelekomin gjysmën e apartamentit 17 mijë euro. U bë një seleksion, luftë klasash, krahinore e politike. Drejtësia sot është vite drite lart nga ajo e vitit 2007.” – shtoi Berisha.