Vendosni fjalën kyçe....

Shpërndahet ekipi i shkencëtarëve që hulumtonin origjinën e Covid-19, mes polemikave e konfliktit të interesit


Një grup pune i përbërë nga shkencëtarë të nivelit të lartë, që po hetonin origjinën e Covid-19 është shpërndarë, zbuloi udhëheqësi i tyre. Hetimi i tij ishte pllakosur që në fillim nga akuzat për korrupsion dhe konflikt interesi.

Profesori i Universitetit të Columbias, Jeffrey Sachs i tha ‘Wall Street Journal’ pas një viti pune, ai e shpërndau ekipin, për shkak se ish-udhëheqësi i tij kishte përdorur fondet e qeverisë amerikane për të studiuar koronaviruset në Institutin e Virologjisë Wuhan, në Kinë – objekt nga i cili shumë besojnë se virusi ka rrjedhur fillimisht.

“Unë thjesht nuk doja një grup pune që ishte përfshirë aq qartë me një nga çështjet kryesore të gjithë këtij kërkimi për origjinën, që ishte Aleanca EcoHealth,” tha ai, duke iu referuar firmës kërkimore private që mori 600,000 dollarë në grante nga Institutet Kombëtare të Shëndetit të SHBA për të studiuar koronavirusin e lindur nga lakuriqët në laborator midis 2015 dhe 2019.

Sachs tha se grupi i punës ishte shpërndarë në mes të shtatorit dhe do të publikonte gjetjet e tij në mesin e vitit 2022. Shkencëtarët e përfshirë do të kryenin një hetim për çështje më të gjera të sigurisë dhe mbikëqyrjes së laboratorit në ndërkohë, shtoi ai.

Ekipi, i cili ishte i lidhur me revistën mjekësore ‘The Lancet’, u krijua në vitin 2020 dhe fillimisht u drejtua nga presidenti i Aleancës EcoHealth, Peter Daszak.

Daszak, i cili kishte deklaruar se nuk kishte ‘interesa konkurruese’, botoi një deklaratë në ‘The Lancet’ shkurtin e kaluar duke hedhur poshtë teorinë se Covid-19 kishte dalë nga laboratori i Wuhan.

Ai tha se bëhej fjalë për një ‘thashethem dhe dezinformatë’. Po kështu ai dhe kolegët e tij dënuan atë që ata e përshkruan si ‘teori konspirative që sugjerojnë se Covid-19 nuk ka një origjinë natyrore’.

“Teoritë e komplotit nuk bëjnë gjë tjetër veçse krijojnë frikë, thashetheme dhe paragjykime që rrezikojnë bashkëpunimin tonë global në luftën kundër këtij virusi,” thuhej në deklaratë.

Daszak nuk ishte i vetmi ndër nënshkruesit e deklaratës i cili me sa duket mbuloi konfliktin e tij të interesit. Një e katërta e 27 shkencëtarëve që i dhanë emrin ishin të lidhur me Aleancën EcoHealth si anëtarë bordi, këshilltarë ose punonjës. Megjithëse Daszak më vonë pranoi konfliktin e tij të interesit dhe një shtesë u përfshi në deklaratën në internet këtë qershor, shkencëtarët e tjerë nuk e pranuan.