Vendosni fjalën kyçe....

Kadilli prezanton nismën e re politike: Iniciativa Demokratike përtej Bashës e Berishës, për një opozitë të vërtetë


Një nga kandidatët për kreun e PD-së në zgjedhjet e fundit, Fatbardh Kadilli ka prezantuar sot një nismë të re politike brenda PD-së. Gjatë një konference, ai tha se forca e re është emërtuar Iniciativa Demokratike (iDE), një strukturë ndërvepruese brenda partisë.

Gjatë prezantimit ai tha se Partia Demokratike nuk ofron më garanci për opozitë duke qenë se lidershipi i saj është i kompromentuar.

Po kështu ai kritikoi edhe lëvizjen e ish-kryeministrit Berisha duke theksuar se përplasja e tij me Bashën po shpenzon energji, po bjerr moralin politik e ka nxjerrë jashtë misionit të saj PD-në.

Gjatë prezantimit të Iniciativës Demokratike folën edhe Sekretari për Çështjet Ligjore, Ivi Kaso, analisti Artan Hoxha, anëtarë aktivë të Partisë Demokratike e ekspertë të fushave të ndryshme.

“Partia Demokratike ndodhet në një krizë të rëndë. Jemi përsëri në opozitë. Jemi të përçarë dhe kemi lidershipin të kompromentuar përballë anëtarësisë. Gara për zgjedhjen e Kryetarit të ri ishte një mundësi e humbur dhe e keqpërdorur. Në Manifestin Politik për Ringritjen e PD kam këmbëngulur për një PD më të madhe se Kryetari, për një PD më të madhe se vetvetja. Motoja ime ishte dhe mbetet për Një PD të Pastër, Të Hapur, Të Bashkuar dhe Fituese. Iniciativa Demokratike, me një logo domethënëse – iDE, është propozimi ynë i ri për demokratët dhe opozitarët. Në këtë kohë të turbullt ne kemi propozimin tonë për demokratët: Grindja e brendshme, kriza e rëndë politike, përplasja mes dy kryetarëve po shpenzon energji, po bjerr moralin tonë politik dhe ka nxjerrë jashtë misionit të saj opozitar PD.” – tha Kadilli.

Sipas tij, as Basha dhe as Berisha nuk jep zgjidhje për sa i përket luftës opozitare duke shtuar se Iniciative Demokratike do jetë një opozitë e pastër, me propozime të besueshme nga njerëz të besueshëm duke qenë strukturë e PD-së në përputhje me statusin e kësaj të fundit.

Ne besojmë se asnjëra palë nuk jep zgjidhje të qëndrueshme. Nuk janë zgjidhja as për PD dhe as për të ndërtuar opozitë të pastër. Asnjëri nuk bashkon, nuk forcon, nuk na shton, nuk fiton. Nuk jep një fokus të qartë e të vërtetë opozitar. Një alternativë konkuruese. Pikërisht tek krijimi i alternativës qëndron propozimi ynë. Ne kemi marrë përgjegjësitë tona. Do të bëjmë opozitë. Një opozitë të re. Përballë pushtetit abuziv të Ramës, ne do të vijmë si një opozitë e pastër, opozitë konkuruese, opozitë që ngjall shpresë. Kjo opozitë e re do ketë propozime të besueshme, nga njerëz të besueshëm, në dobi të vendit.

Në përputhje të plotë me statutin e PD, ne sot shpallim krijimin e iniciativës demokratike si strukturë e PD-së jo mbi baza territoriale por sociale, profesionale, politike. Me shtrirje dhe veprim në gjithë territorin.” – shtoi Kadilli.

Në fund Kadilli përmblodhi formën, përbërjen dhe misionin e Inicativës Demkratike duke ftuar të gjithë demokratët që të bëhen pjesë e saj.

“Ne sjellim ide. Në iDE ballafaqohen ide. Kush ka ide, vjen në iDE. Me mendim të ri politik, me sfida të vërteta politike, me aksion të njëmendtë politik. Për beteja politike thelbësore, programore dhe jo beteja rastësore. iDE do të mobilizojë energjitë dhe talentin e pashfrytëzuar të demokrateve dhe opozitarëve. Opozita nuk është ekskluzivitet i askujt. Partia edhe mund të bëhet monopol. Opozitarizmi jo! Struktura e re, iDE është e përbërë nga politikanë me përvojë, me karrierë politike dhe administrative, por edhe njerëz të rinj, të shkëlqyer që duan të kontribuojnë. Ajo është vetvepruese. iDE është më e gjerë se anëtarët e PD. Ajo është një ftesë për çdo demokrat që nuk është PD-ist dhe për çdo qytetar që nuk është demokrat. Tek vetveprimi, tek hapja, tek konkurenca si filozofi e jetës, si dhe tek qytetari qëndron dallimi dhe e veçanta e këtij forumi të pangjashëm deri më sot. iDE do të bëjë politikë që sjell dobi për qytetarin. Që zhvillojnë dhe lartësojnë familjen, ligjshmërinë, pronën private, tregun dhe meritokracinë. Ne kemi vendosmërinë, kemi guximin, kemi pastërtinë dhe durimin të përballemi me të keqen kudo. Brenda nesh dhe jashtë nesh. Qëllimi është një shqipëri me e mirë, më e drejtë, më konkuruese.” – mbylli Kadilli.