Kryeministri i Kosovës i tha presidentes së KE-së, Von der Leyen se Serbia merr donacione e fonde nga Bashkimi Europian e furnizohet me armë nga Rusia e Kina.
Kurti e bëri deklaratën gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me zyrtaren e lartë europiane, në qendër të së cilës ishte gjendja e tensionuar në veriun e vendit. Ai theksoi gjithashtu se Prishtina po zbaton një vendim të dakordësuar më parë mes palëve lidhur me recipricitetin e targave.
“Në pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje ne nuk kemi marrë ndonjë vendim të ri përveçse po e zbatojmë një dakordim të vjetër. Ndërkohë Serbia u përgjigj me forcë duke sjellë në kufi tanket e aeroplanet luftarake që i ka marrë nga Rusia. Fatkeqësisht ndodhemi në një situatë ku Serbia merr donacione nga BE-ja, dhe përkundër që i merr këto donacione pa zbatuar vlera do të duhej të demokratizohet e jo të militarizohet nga Rusia e Kina.” – tha Kurti.