Vendosni fjalën kyçe....

U vra në krye të detyrës – Nënkomisari Saimir Hoxha shpallet “Dëshmor i Atdheut”, merr dhe “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”


Pas vdekjes në krye të detyrës, nënkomisari i Lezhës, Saimir Hoxha ka marrë dekoratën “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” nga Presidenca si dhe është shpallur “Dëshmor i Atdheut” me vendim qeverie.

Presidenti i vendit Ilir Meta bëri me dije sot se ka akorduar “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” për nënkomisarin, Saimir Hoxha i cili u vra ditën e djeshme në krye të detyrës nga 21-vjeçari Aldi Rama, gjatë një operacioni anti-kanabis.

“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta i akordoi sot Dëshmorit të Atdheut, Saimir Hoxha (pas vdekjes) ‘Dekoratën e Artë të Shqiponjës’, me motivacionin:

‘Për kontributin e dhënë në shërbim të Policisë së Shtetit, si dhe në vlerësim të trimërisë së treguar gjatë kryerjes së detyrës, duke mos kursyer as jetën e tij në luftën kundër krimit të organizuar për të garantuar rendin dhe sigurinë publike’.”– thuhet në njoftimin e Presidentit.

Nga ana tjetër, në homazhet që po mbahen për nënkomisarin e ndjerë, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi bëri me dije se ai është shpallur dhe “Dëshmor i Atdheut”.

Ministri Çuçi shtoi se familjarët e Saimir Hoxhës do të trajtohen menjëherë financiarisht nga shteti.

“Siç e dini, dje humbi jetën në mënyrë tragjike në krye të detyrës nënkomisari Saimir Hoxha. Morëm vendimin për shpalljen ‘Dëshmor i Atdheut’. Qeveria mori vendim për trajtimin e menjëhershëm financiar të familjarëve. Me marrjen e titullit, kur të hyjë në fuqi ligji i ri që miratuam në mbledhjen e parë të kësaj qeverie ato do të trajtohen, posaçërisht fëmijët si fëmijë në përkujdesje të Republikës. 

Kjo do të  thotë  se fëmijët do të marrin një trajtim deri në 18 vjeç dhe nëse vijojnë shkollën e lartë deri në 25 vjeç do të marrin pagë prej 170% të pagës së nënkomisarit. Jo vetëm kaq, do të marrë trajtim falas shëndetësor dhe benefitet si rezultat i statusit “Dëshmor i Atdheut” të babait të tyre. Sigurisht fëmijëve do u mungojë babai i tyre, por në asnjë moment gjatë gjithë jetës së tyre nuk do i mungojë përkujdesja nga shteti.”– tha Çuçi.