Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se nuk i ka gjobitur kompanitë që operojnë në tregun e importit të grupit dhe prodhimit të miellit, pas rritjes së çmimit të bukës në vend.
Komisioni i Konkurrencës në mbledhjen e datës 29.09.2021, lidhur me vendimin “Për vendosje gjobe ndaj ndërmarrjeve AgroBlend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA dhe Atlas Mills SHPK për moszbatimin e detyrimeve të përcaktuara me VKK nr. 700, datë 24.07.2020”, në një votim 2 pro dhe 3 kundër, nuk miratoi propozimin e Sekretariatit për vendosje gjobe ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit.
Sipas njoftimit të Konkurrenvcës, anëtarët që votuan pro vendosjes së gjobës janë:
Juliana Latifi
Eduard Ypi
Anëtarët që votuan kundër vendosjes së gjobës janë:
Leida Matja
Adriana Berberi
Denar Biba
Hetimi
Më herët, Konkurrenca kishte njoftuar se do të dilte me një vendim nëse prodhuesit kryesorë të miellit në vend po vazhdojnë të ndjekin një marrëveshje të ndaluar, me qëllim fiksimin e çmimeve.
Përmes një njoftimi zyrtar, ky institucion bëri të ditur se me anë të vendimit nr. 700, datë 24.07.2020 ka konstatuar sjelljen e bashkërenduar midis ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, pasi këto ndërmarrje kanë bashkërenduar sjelljen, duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal. Sipas vendimit, kjo sjellje përbën shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Në vendimin e vitit të kaluar, AK iu vendosi ndërmarrjeve të hetuara detyrimin të mos caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi; të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet; të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit; të raportojnë çdo 3 (tre) muaj pranë AK-së të dhëna mbi blerjet dhe shitjet në përmbushje të detyrimeve të dhëna sipas kësaj pike.
Pjesë e vendimit ishte gjithashtu monitorimi për një periudhë njëvjeçare e sjelljes së ndërmarrjeve të mësipërme.
Reagimi i AK erdhi pasi disa prej prodhuesve të bukës në vend kanë rritur çmimin e bukës masive me 10 lekë. Sipas subjekteve anëtare të Shoqatës të Prodhuesve të Bukës, rritja e çmimit të bukës ka ndodhur kryesisht për shkak të shtrenjtimit të miellit, por edhe rritjes së kostove të punës, për shkak të emigracionit.
Nga ana tjetër, prodhuesit e miellit deklaruan për “Monitor” se shkaku kryesor i shtrenjtimit të këtij produkti është rritja e çmimit të grurit në tregjet ndërkombëtare, me rreth 65% në një vit.
Arsyet janë rënia e prodhimit të shteteve më të mëdha prodhuese, por edhe për shkak të thatësirës dhe përmbytjeve në disa vende të Europës. Sipas tyre, kjo rritje është reflektuar vetëm në masën 10-12% në çmimet e miellit, por nëse kjo tendencë vazhdon, shtrenjtimi i mëtejshëm i miellit do të jetë i pashmangshëm.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor