Ditën e djeshme disa ministra të qeverisë u shfaqën në një formë që nuk ishte vërejtur më herët në 8 vitet e kabinevete Rama 1 e Rama 2.
Ata dolën nga hyrja e kryeministrisë një për një dhe u rreshtuan në shkallët për të marrë fjalën njëri pas tjetrit. Siç u sqarua pak çaste më pas, dalja ceremoniale ishte në funksion të vendimeve të marra në mbledhjen e djeshme të qeverisë.
I pari e mori fjalën ministri i Brendshëm Çuçi e pas tij të gjithëme radhë, Balluku, Manastirliu, Manja, Ibrahimaj, Krifca e Kushi. Secili prezantoi vendimet që kishin të bënin me ministritë përkatëse.
Ditën e sotme zv.kryeministri Ahmetaj doli e foli për rritjen ekonomike të vendit që sipas tij ka ardhur falë masave të marra nga qeveria.
Shfaqja e ministrave duke raportuar mbi vendimet e qeverisë në bllok, në një ceremoni të organizuar me kujdes është një risi propagandistike e kabinetit Rama 3, që sapo ka nisur nga puna.
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani