Vendosni fjalën kyçe....

Edmond Spaho i bashkohet ‘Foltores së Berishës, ‘braktis’ Bashën


Deputeti i PD-së, Edmond Spaho, ka njoftuar sot se do i bashkohet turit nëpër Shqipëri të ish-kryeministrit Berisha.

Në një status të gjatë në Facebook ai shpjegon edhe arsyet që e kanë shtyrë drejt një vendimi të tillë. Spaho thekson se PD-ja është në një gjendje tejet kritike dhe se bunkerizimi është sëmundja më e rëndë që e ka prekur.

Ai thekson se hapja e partisë e dëgjimi i anëtarësisë janë rruga e vetme që mund të shpëtojë PD-në. Spaho shton se ‘Foltoren’ e ish-kryeministrit nuk e përkrah për emocion po por idetë, frymën dhe kohezionin që ajo përçon.

“PD është në gjendje shumë kritike pas zgjedhjeve të 25 Prillit dhe zhvillimeve të mëvonshme. Bunkerizimi i Partisë është sëmundja më e rëndë që na ka zënë dhe për këtë fajtorë jemi të gjithë, ne që kemi drejtuar edhe më shumë. Hapja e Partise, debati midis nesh, kolegjialiteti në vendimmarrje dhe veçanërisht dëgjimi i anëtarësisë janë rruga e vetme për të dalë nga kriza dhe shpëtuar PD-në. Janë këto arsyet që më shtyjnë të mbështes dhe marr pjesë në “Foltoren” e organizuar në qytete të ndryshme të vendit. Unë “Foltoren” nuk e përkrah për emocion, por për idetë, frymën e lirisë që shpërndan dhe kohezionin. PD është aset i çmuar, që më së pari i përket demokratëve të çdo niveli, të cilët duhet të ndihen të përfaqësuar.” – shkruan Spaho.

Ai shton më tej se opozita ka nevojë për një platformë të mirëmenduar si mund të mundet kryeministri Rama në zgjedhje. Deputeti thekson se partia ka nevojë për lidership që duhet tyë mbrojë vendimet e të jetë në krye të anëtarësisë për t’i çuar në fitore.

“Të nderuar miq, mandati i tretë në opozitë për fat të keq ka nisur sipas shprehjes “sezoni i ri, avaz i vjetër”. Kemi nevojë për një platforme të mirëmenduar se si do ta mundim Edi Ramën në zgjedhje. Platforma nuk imponohet, ajo diskutohet me ata që do e zbatojnë dhe më pas miratohet në organet drejtuese të PD. E njëjta gjë vlen dhe duhet zbatuar edhe për reformat që synohet të ndërmerren. Në këto kohë të vështira, PD më shumë se gjithçka, ka nevojë për lidership. Lidershipi duhet t’i dalë për zot sfidave, të mbrojë vendimet që merr dhe të jetë në krye të anëtarësisë për t’i çuar ata në fitore. PD duhet të përmirësojë thellësisht organizimin e saj. Ne nuk mund të kthehemi në pushtet me degë pa kryetarë, me kryetarë pa ushtarë apo me ushtarë të lënë të demoralizuar, të braktisur apo të vetmuar nga humbja e 25 Prillit. Strukturat e PD nuk mund t’i thërrasim vetëm për zgjedhje të përgjithshme, vendore apo partiake.” – shton Spaho më tej.

Në fund ai bën thirrje për një rikonceptim të marrëdhënieve me SHBA-në e BE-në. Sipas Spahos miqësia nuk mund të jetë konjukutrale apo e interesave të çastit.

Ai e mbyll postimin duke thënë se i gjithë procesi duhet të çojë te një PD më e bashkuar, më e fortë dhe më e hapur që garanton fitoren e saj e të qytetarëve.

“Ne kemi nevoje të rikonceptojmë marrëdhëniet me miqtë tanë ndërkombëtare. Për këtë duhet të pranojmë gabimet që kemi bërë vitet e fundit. Miqësia me ta nuk mund të jetë konjukturale apo e interesave të çastit. Partia Demokratike u themelua nga themeluesit e saj si pro-amerikane, ka jetuar si e tillë dhe do të jetë edhe në të ardhmen pro-amerikane. Gjithçka për një PD të bashkuar, të fortë e të hapur për të garantuar fitoren e saj dhe qytetarëve shqiptarë.” – mbyll reagimin Spaho.