Nga Sokrat Turtulli
Nuk besoj dhe nuk pranoj njeri të më pohojë se është më Berishian se unë. Kam 30 vjet që e ndjek nga pas. Pa asnjë përfitim dhe këtë e them me zë të lartë.
Po të hapësh profilin tim prej ditës që është krijuar dhe deri më tani, nuk besoj se gjen më shumë postime për Babain tim sesa për Berishën. Për 30 vjet kam sulmuar dhe jam bërë hasëm me gjysmën e PD, vetëm e vetëm se atje ku drejtonte gishtin ai, atje ishte dhe objekti i sulmit tim dhe jo vetëm i imi.
Për 30 vjet kam mbështetur çdo person që ai ka artikuluar dhe ka hedh në tavën e përzgjedhjes. Për 30 vjet kam sulmuar gjithë mosmirënjohësit e tij të ngritur nëpër poste dhe detyra. Për 8 vjet post Berishë kam menduar dhe mendoj si çdo demokrat se, çdo vendim që merrte Basha nga pas ishte Berisha.
Le të dalë një i vetëm dhe të ma mohojë këtë gjë. Edhe para një muaji kur u bënë zgjedhjet për kryetar të PD, kam parë sesi vota e Berishës shkoi për Bashën dhe kjo me mbështetje të plotë. Kam parë në Kuvendin Kombëtar sesi Berisha ngrinte dorën lart për çdo ndryshim statutor që hidhej për miratim.
Berisha ngrinte dorën lart dhe unë pas tij. Unë nuk “dëgjoja” se çfare nenesh statutore ndryshoheshin, pasi më mjaftonte të hidhja sytë nga Berisha për të dhënë miratimin tim. E njëjta gjë ndodhi edhe në mbledhjen e këshillit kur u miratua dhe u peërzgjodh struktura e re e PD. E kisha doktorin vetëm dy karrige para. Atje i mbaja sytë për çdo emër që hidhej për votim. Dora e tij qe e ngritur lart. Edhe e imja, as që bëhej fjalë…
I thashë këto fjalë për të hequr disa paralele me ata që kanë përfituar prej tij. Ndryshe është të të duash pa interes dhe ndryshe të të lëpihesh nga pas. Kam parë në takimet e foltores demokrate që ulërasin. Demokratë që janë gati të të shqyejnë nëse ke mendim ndryshe nga ata.
Të shajnë, të fyejnë, të kërcënojnë nën moton për një parti më të hapur dhe për një bashkim. Bashkim? Po a mund të ketë bashkim me këtë mentalitet dhunues dhe kërcënues? Po si mund te jesh kaq antibashist, kur vetëm para një muaji e mbanit në kurriz?
Po si mund të jenë kaq të urryer ata që mbështesin atë që mbëshetet dhe ju para një muaji?! Po çfarë është kjo “gjëmë o Pjeter” qe po i ndodh partisë me emër demokratikeje?! Si përfunduam në këtë derexhe, ku armiku kryesor mbetet ai brenda partisë dhe që nesër pret të votojë dhe të bashkojë voten me ty?!
PD është në ditën e saj më të zezë dhe kjo për fajin tonë. Vetëm për fajin tonë dhe mos e kërkoni tek askush tjetër. Nëse do vazhdoni akoma me sharje, fyerje dhe kërcënime se pse unë nuk jam në një mendje me komunistin Edmond Spaho të PD, mos prisni të ardhme dhe mos u mundoni kot të shihni dritë në fund të tunelit.
Unë jam dhe do jem vetëm me PD. Uëe kam qenë me të dy. Mendoni dhe ju të jeni si unë dhe keni për të parë se ndryshimi do jetë shumë i shpejtë.