Forumi Ndërkombëtar për inovacionin “Think Tech” ka zhvilluar dje edicionin e tretë të tij. Në fokus të takimit ka qenë e ardhmja e brezit të ri, ndërveprimi i të rinjve me teknologjinë dhe mundësitë që u jepet përmes forumeve teknologjike dhe inovatore që shërbejnë si direktiva të rëndësishme për ta.
“Think Tech” solli në edicionin e tretë panelistët dhe tematika të ndryshme, me synimin e qartë: të motivojë të rinjtë dhe t’u shpalosë atyre të gjitha mundësitë që ofron vendi ynë në fushën teknologjike dhe të inovacionit.
Ky forum është themeluar nga z. Erion Isufi, CEO i Landmark Communications & Technologies, me mbështetjen e partnerëve: One Telecommunications, Deloittte, Procredit Bank, Sisal, Moveo, Philip Morris Albania dhe Holberton School Albania dhe bëri bashkë, në 2 panele me sipërmarrës shqiptarë dhe të huaj, të cilët ndanë me pjesëmarrësit përvojat e tyre dhe më e rëndësishmja, mënyrën si teknologjia ka ndikuar në zhvillimin e bizneseve respektive.
Nën moderimin e znj. Rafaela Rica, “Think Tech” shërbeu si një dritare informative për të gjithë të rinjtë, duke cekur tematika të ndryshme, si: siguria kibernetike, interneti dhe rrjeti i sigurt, puna remote në periudhën pandemike, teknologjia si një alternativë me e mirë në jetën e të gjithëve, por edhe sektorin bankar, saktësisht në pjesën e e-banking dhe integrimin e inovacionit në sistemin bankar tradicional.
Edicioni i tretë u nda në dy panele, me nga katër folës secili. Në të parin bënë pjesë: z. Erion Isufi, Founder i “Think Tech”, Founder dhe CEO i Landmark Communications & Technologies; znj. Ralitsa Guri, Anëtare e Bordit të Drejtuesve në One Telecommunications; z. Mario Martinelli, CIO i Sisal; si dhe z. Lorent Guri, Menaxher i Përgjithshëm i Philip Morris Albania.
Në pjesën e dytë të “Think Tech”, morën pjesë emra të njohur dhe të suksesshëm shqiptarë dhe të huaj: z. Davide Filizola, Drejtori Digjital i Sisal Italia; znj. Belma Lushi, Drejtore e Deprartamentit të Shërbimit të Klientëve Privatë në Procredit Albania; z. Orlindo Shehu, Partner Menaxherial i Deloitte CE South, si dhe z. Daniel Schroeder, Co-Founder i Holberton School Albania.
Ndërkohë, z. Erion Isufi, tejet i angazhuar në përmirësimin e të ardhmes të të rinjve, falë mundësive që i ofron pranë Landmark Communications & Technologies, dha premtimin se edicioni i katërt i “Think Tech”, e gjen forumin teknologjik me një kohështrirje prej 1 jave, për t’i ofruar shansin të gjithëve të marrin pjesë dhe të njihen me fushat për të cilat interesohen.
Ka ardhur momenti që brezi i të rinjve tanë të jenë edhe në vëmendjen politikave shtetërore, në mënyrë që kontribuojnë në Shqipëri me të gjithë përvojën, idetë dhe potencialin e tyre, pasi vendi ynë është tashmë territori më i përshtatshëm për krijimin e një “digital hub”, për të apasionuarit pas teknologjisë!