Vendosni fjalën kyçe....

Kamp refugjatësh në Shqipëri? Endri Fuga hedh poshtë lajmet: Nuk bëjmë detyrat e më të mëdhenjve


Drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga, ka hedhur poshtë lajmet e publikuara në mediet britanike se Shqipëria do të kthehet në një kamp refugjatësh për emigrantët e paligjshëm që kapen në Britani.

Në një postim në “Twitter”, Endri Fuga shprehet se Shqipëria bën detyrat e traditës por jo detyrat e atyre që janë më të mëdhenj e më të pasur.

“Lajmi se Shqipëria do të ngrejë një qendër azilantësh për llogari të palëve të treta është absolutisht i pavërtetë. Shqipëria hapi dyert për 4 mijë afganë e jemi krenarë për këtë. Ne bëjmë detyrat tona karshi traditës e fëmijëve tanë, jo detyrat e atyre që janë më të mëdhenj e më të pasur se ne.”– këshilltari i kryeministrit Edi Rama.

Ky reagim vjen pas një lajmi të publikuar nga tabloidi britanik “The Sun”, ku thuhej se “emigrantët e paligjshëm do të fluturojnë 1.500 kilometra në një qendër në det të hapur në Ballkan, ndërsa kërkesat e tyre janë duke u përpunuar. Kërkesat e azilit në Mbretërinë e Bashkuar do të trajtohen sipas këtij plani, ndërsa emigrantët të qëndrojnë në Shqipëri”.

Gazeta theksonte se zyrtarët në Londër dhe në Tiranë ishin afër arritjes së një marrëveshjeje për këtë.