Vendosni fjalën kyçe....

Rrjedhin në rrjet mbi 12 milionë dosje që tregojnë pasurinë në parajsat fiskale të më shumë se 300 liderëve botërorë


Pasuria sekrete në parajsat fiskale e më shumë se 300 liderëve botërorë, politikanë dhe miliarderë është zbuluar në një nga rrjedhjet më të mëdha të të dhënave financiare ndonjëherë.

Të quajtura ‘Dokumentet Pandora’, dokumentet tregojnë se si 35 udhëheqës të tanishëm dhe ish-liderë botërorë, përfshirë Tony Blair dhe Vladimir Putin – përdorën llogari në parajsat tatimore për të grumbulluar sasi të mëdha pasurie dhe për të kryer transaksione.

Dosjet përbëhen nga 12 milionë dokumente nga 14 kompani të shërbimeve financiare në vende duke përfshirë Ishujt e Virgjër Britanikë, Panamanë, Belizën, Qipron, Emiratet e Bashkuara Arabe, Singaporin dhe Zvicrën.

Ato u morën nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues (ICIJ) para se të studioheshin nga më shumë se 650 reporterë nga BBC Panorama, Guardian dhe media të tjera.

Ato zbulojnë se ish-kryeministri britanik Blair dhe gruaja e tij Cherie kursyen rreth 434,000 dollarë (321,000) kur blenë një zyrë në Londër, ndërsa Presidenti rus Putin ishte i lidhur me asete sekrete në Monako.

Ndërkohë Mbreti i Jordanisë ishte në gjendje të shtonte fshehurazi 70 milionë stërlina pronë në portofolet e tij në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA – kryesisht në Malibu, Kaliforni dhe në Londër.

Ndërsa shumë prej transaksioneve – të bëra nga dhjetëra mijëra firma të ndryshme në parajsat fiskale – nuk kanë asnjë keqbërje ligjore, ato tregojnë se si Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka dështuar në premtimin e saj për të sjellë një regjistër të pronarëve të parajsave fiskale.

Publikimi i dokumenteve nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të keqe për kryeministrin çek Andrej Babis – i cili po përballet me zgjedhje këtë javë – pasi ato tregojnë se si ai nuk arriti të deklarojë një kompani investimesh në parajsat fiskale për të blerë dy vila për 12 milionë stërlina në jug të Francës.

Dokumentet ndjekin katër rrjedhje të tjera të të dhënave të mëdha në shtatë vitet e fundit – përfshirë FinCen Files, Paradise Papers, Panama Papers dhe LuxLeaks.

Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev dhe familja e tij dhe bashkëpunëtorët e ngushtë kapën më shumë se 500 milionë dollarë prona në Mbretërinë e Bashkuar, zbuluan gazetat.