Vendosni fjalën kyçe....

Ambientalistët bllokojnë rrugët e Londrës, gruaja në lot iu lutet ta lënë të ndjekë ambulancën me nënën e sëmurë me kancer (VIDEO)


Londra është paralizuar në ditën e 11 të protestave të aktivistëve të ndryshimeve klimatike. Protestuesit kanë bllokuar rrugët kryesore të udhëtarëve për në kryeqytet gjatë orëve të pikut, duke sfiduar oficerët e Policisë Metropolitane, të cilët duket se thjesht qëndrojnë duarkryq.

Tensionet u ndezën pasi mjekët ndihmuan shoferët të largonin protestuesit nga rruga në Uandsëorth Bridge.

Siç tregohet në një video të publikuar nga “Daily Mail”, një grua e përlotur ishte duke u përpjekur dëshpërimisht të ndiqte nga pas ambulancën që po çonte nënën e saj me kancer në spital, por protestuesit nuk po e lejonin.

“Si mund të jeni kaq egoistë?”– bërtet ajo mes lotësh.

Tridhjetë e tetë arrestime janë bërë deri më tani. Një zëdhënëse e eko-grupit tha: “Ne jemi më shumë të frikësuar se çfarë do të ndodhë kur kriza klimatike të shkaktojë prishjen e rendit dhe ligjit, sesa ne ndaj urdhrave dhe burgjeve. Qeveria po fokusohet tek ne dhe jo tek ajo që po vjen në rrugë. Ata duhet të përballen me realitetin.”

Një ditë më parë, kryeministri britanik Boris Johnson kërcënoi të burgoste aktivistët që shkaktojnë bllokimin e arterieve kryesore të transportit.

“Insulate Britain” është një grup aktivistësh mjedisorë, që kërkojnë që qeveria të izolojë të gjitha banesat sociale në Britani deri në vitin 2025 dhe të rindërtojë të gjitha shtëpitë me izolim deri në vitin 2030.