Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Firmosni për mbledhjen e Kuvendit, na bashkon vetëm vota e lirë


Sali Berisha ka mbajtur “Foltoren” e sotme në Gjirokastër ku i ka bërë thirrje anëtarëve të PD-së të firmosin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.

Berisha i ka kërkuar vetëm të votojnë për mbledhjen e Kuvendit dhe në çfarë mënyre të duan.

“Ftoj të gjithë delegatët e Kuvendit Kombëtar, të firmosni për mbledhjen e Kuvendit. Si të doni votoni në Kuvend, por firma juaj është ndërgjegjja juaj për një PD që respekton votën e lirë.

Ju e shihni se ç’po ndodh. Peng-kryetarin e ka marrë në patronazh qeveria me propagandën e saj.

Ka të tjerë që përpiqen t’u mbushin mendjen shqiptarëve se nuk ka rëndësi procedura, nuk ka rëndësi vota. Këta janë mercenarë.

Në këtë pikë ne ndahemi me çdo njeri. Ata për të cilët procedura nuk ka rëndësi, vota nuk ka rëndësi, forumet nuk kanë rëndësi, janë mercenarë që nuk e duan demokracinë.

Me gjithë të tjerët na bashkon vota e lirë.

Ndaj dua t’ju përshëndes dhe t’ju falënderoj për këtë pritje të jashtëzakonshme dhe t’ju siguroj se me përpjekje të përbashkëta do dalim nga kjo betejë më të bashkuar, më të pavarur, më të fortë dhe më të sigurt në fitoren që na pret,” tha Berisha.