Dy psikologë-specialistë të burgut të Reçit janë arrestuar nga Shërbimi i Brendshëm i Burgjeve, disa ditë pasi u pezulluan nga detyra.
Bëhet fjalë për Arnaldo Hoxha dhe Mario Laloshi, që të dy me funksionin specialist-psikolog në sektorin e çështjeve shoqërore pranë IEVP Reç në Shkodër.
Pas një denoncimi në emisionin “Stop”, dy specialistët u pezulluan nga puna përmes një urdhëri të ministrit të drejtësisë Ulsi Manja.
Sipas denoncimit të bashkëshortes së njërit prej të dënuarve në këtë burg, Martin Tushes, dy personat e sipërpërmendur kanë kërkuar para nga i dënuari, në këmbim të disa shërbimeve.
Mario Latoshi është përgjegjës për kontaktet e të burgosurve me familjarët. Ndërsa Arlando Hoxha ndikon në raport-vlerësimin e sjelljes së të burgosurve, kur këta të fundit kërkojnë, që koha e mbetur e vuajtjes së dënimit, t’i konvertohet në arrest shtëpie apo shërbim prove.
Dy psikologët ia kanë bërë të vështirë Tushes të kalojë në shërbim prove, ose në arrest shtëpie, pavarësisht sjelljes së mirë.
“Atëherë, unë jam bashkëshortja e Martin Tushës. Im shoq vuan dënimin e tij në burgun e Reçit. I ka mbetur edhe pak kohë, për të mbaruar atë dënim, që i është dhënë. Ai ka bërë një kërkesë në gjyq për shërbim prove ose arrest shtëpie, një nga të dyja. Pretendon, që me anë të sjelljes së tij të mirë, të krijojë mundësitë, që i duhen…dhe këta edukatorë, që punojnë atje janë duke ia bërë gjërat pak të vështira me thënë të drejtën, sepse ai me të vërtetë ka një sjellje të shkëlqyer atje. D.m.th nuk ka asnjë lloj problemi as me të burgosurit, asgjë…, por ata, për qëllime përfitimi, i bëjnë gjërat shumë të vështira për të, duke i thënë, që nuk mundesh, duhet të ndikojë dikush për të folur mirë për ty, këndej-andej.”- shprehej bashkëshortja e të dënuarit.