Vendosni fjalën kyçe....

Miratohet në Kuvend akti normativ për blerjen e 500 mijë vaksinave “Pfizer”


Kuvendi ka miratuar sot aktin normativ për blerjen e 500 mijë vaksinave anti-covid të kompanisë “Pfizer”.

Gjatë votimit, deputetët e opozitës dhe të mazhorancës duket se janë bërë bashkë pasi kanë votuar të gjithë pro aktit normativ.

Kjo marrëveshje mori 126 vota pro dhe asnjë kundër, duke i hapur rrugë ardhjes brenda vitit të 500 mijë e 760 doza vaksine.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla e përshëndeti opozitën që nuk e kundërshtoi marrëveshjen, duke votuar të gjithë “PRO”. Sipas tij, kjo seancë plenare dha mesazhin që “partitë i tejkalojnë debatet e tyre kur bëhet fjalë për një çështje me rëndësi sikurse është kjo betejë.”

Kujtojmë se Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në seancën dëgjimore në Komisionin për Punën Çeshtjet Sociale dhe Shëndetësinë të mbajtur dy ditë më parë, e mbrojti këtë akt duke thënë se këto doza së bashku me marrëveshje të tjera në vazhdim do të shërbejnë për të rritur mbulesën vaksinale.

“Kjo marrëveshje do të rrisë furnizimin me vaksina. Një marrëveshje që realizohet në sajë të bashkëpunimit me Pfizer, pas marrëveshjes së parë ku erdhën 500 mijë vaksina. Vjen ky amendim për 500,760 doza vaksine të cilat priten të levrohen brenda muajti dhjetor të këtij viti. Ne jemi në negociata me Pfizer për nënshkrimin e marrëveshjeve për të siguruar vaksina për vitin tjetër dhe në vazhdim për të rritur mbulesën vaksinale dhe për t’iu përgjigjur çdo skenari që Komitetet tona do të vendosin për të siguruar vaksinimin e popullatës”, tha Manastirliu duke bërë me dije gjithashtu se përmes instrumentit Covax deri në fund të vitit presim edhe rreth 400 mijë doza vaksine që pritet të mbërrijnë në Shqipëri.”- shprehej ministrja Manastirliu.