Një zyrtare në Kosovë ka kërkuar që t’i ulet paga 12 mijë euro në vit, mirëpo Komisioni parlamentar nuk ia ka miratuar kërkesën.
Siç shkruajnë mediet në Kosovë, auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca ka kërkuar ulje të pagës për rreth 25% në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfertat.
Spanca gjatë raportimit në Komision, tha se duke parë situatën dhe standardet kërkon uljen e pagës, në 2 800 euro, nga 3 821 sa ishte në total duke përfshirë edhe shtesat: “Sa i përket diskutimit të pagës, e vlerësoj lartë duke i marr parasysh rrethanat e reja, duke marr parasysh standardet dhe rrethanat që jemi kam menduar se do të ishte më e arsyeshme që paga e auditorit të jetë më e ulët për shkak se si zyre ne duhet të demonstrojmë shembull, dhe propozimi im ka qenë se jo një pagë më e lartë se 2 800 euro do të ishte e mjaftueshme. Unë uroj që të merret parasysh propozimi im, sepse ju jeni ligjvënës”.
Kërkesa e saj është vlerësuar nga deputetët e opozitës si pozitive, por kritikuan Qeverinë që nuk po miraton Ligjin për Pagat, i cili sipas tyre rregullon pagat e të gjithë punonjësve në sektorin publik.
Armend Muja, kryetar i këtij komisioni propozoi shtyrjen e aprovimit të kërkesës së auditores Spanca deri në javën e ardhshme, kur të bëhet edhe një analizë e pagave për institucionet e ngjashme sikur ZKA.