Një 26 vjeçar është arrestuar në Durrës pasi ishte shpallur në kërkim nga Gjykata për shantazh në mënyrë të përsëritur ndaj një shtetase.
I riu M.K i kërkonte në mënyrë të përsëritur para një shtetaseje ose në të kundërt do i publikonte në rrjetet sociale foto intime.
Arrestimi i tij është kryer teksa do tërhiqte vlerën monetare në një pikë të transferimit të parave.
“Strukturat hetimore të DVP Durrës në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Durrës në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëorganizuar kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Pagesa e fundit”, në kuadër të të cilit u ndalua shtetasi M. K., 26 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Shtrengimi me anë të kanosjes apo dhunës për dhënie pasurie”, pasi në mënyrë të përsëritur, ka shantazhuar dhe kanosur një shtetase, duke i kërkuar shuma të ndryshme të vlerave monetare ose në të kundërt do publikonte në rrjete sociale foto intime.
Gjatë kapjes dhe ndalimit nga forcat e Policisë, ky shtetas po tërhiqte një sasi vlere monetare në një pikë të transferimit të parave, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”-njofton policia.