Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: SPAK po lëviz ngadalë, tre ministra duhet të ishin nën hetim për incineratorët e zgjedhjet


Nënkryetarja e PD-së, Tabaku, ka thënë mbrëmjen e sotme se tre ministra të kabinetit Rama 3 duhet të ishin nën hetim për aferën e inceneratorëve e për masakrën zgjedhore.

E ftuar në emisionin ‘Kjo javë’ në News24, deputetja demokrate tha se SPAK po lëviz ngadalë dhe aty ku lëvi nuk prish asnjë punë.

“Unë kam një pikëpyetje të madhe për arrestimet e SPAK-ut. Sa herë që ia merr një iniciativë personi nuk është më në detyrë, ndodhi me uniformat, ndodhi me RTSH-në. Duket se kushdo që është në qeveri ka informacion për personat e përfshirë. Ndjej keqardhje që kur presidenti pyeti anëtarët e qeverisë nëse është ndonjëri në hetim ndërkohë që të paktën 3 persona që janë ulur në kabinetin e qeveritar duhet të ishin në hetim sipas informacioneve që kemi për aferën e inceneratorëve dhe atë zgjedhore. SPAK po lëviz ngadalë, po lëviz pak dhe duket se po lëviz aty ku nuk prish punë. Doja që ta shihja SPAK me dosje të mëdha, dosjet e zgjedhjeve” – tha Tabaku.

Ajo shtoi më tej se Shqipëria nuk mund të marrë pjesë në një nismë si Open Balkan ku Kosova nuk është pjesë.

“Open Balkan është diçka që shikohet më gjerë se Shqipëria. Kjo ka të bëjë me protagonizmin e Ramës në mungesë të rezultateve. Për PD-në nuk ka proces integrimi të Ballkanit Perëndimor nëse nuk do të jetë i gjithë Ballkani bashkë. Kemi qenë vëllai i madh i Kosovës dhe nuk mund të marrim pjesë në një iniciativë ku nuk është ajo. Procesi i integrimit e ka humbur vlerën tek qytetarët por nuk ka asnjë rrugë tjetër.  Vlera e këtij procesi nuk është procesi por rrugëtimi” – tha Tabaku.