Kreu i qeverisë tha sot se nuk ka asnjë arsye që media online të mos rregullohet me ligj.
Gjatë pjesëmarrjës në konferencën e OSBE-së ‘Gazetari në kohë krizash’, kryeministri Rama tha se media online ka minuar lirinë e fjalës dhe ka shkaktuar jo pak dëm ndaj qytetarëve.
“Mendoj që një vijë mjaft të hollë dhe padyshim është përherë e rrezikshme që të përpiqesh të kombinojmë dhe të jetojnë në harmoni kur vjen fjala nga njëra anë për lirinë e gazetarëve dhe nga ana tjetër për të respektuar lirinë e qytetarëve. Kur vjen fjala për lirinë në internet, liria e përhapjes së kësaj medieje ka minuar lirinë e fjalës. Dhe liria e përhapjes nuk mund të jetë njësoj me lirinë e fjalës. Sidoqoftë nga njëra tjetër nuk mendoj se mënyra më e mirë është t’i largohesh sfidës dhe të mbash thjesht një qëndrim, duke thënë se na duhet thjesht durim kundrejt këtij lumi gënjeshtrash dhe shantazhesh. Mendoj se duhet të reflektojmë për këtë.” – tha Rama.
Ai shtoi se nuk ka asnjë arsye që media online të rregullohet me ligj siç ndodh me televizionet e gazetat pasi kjo do ishte mbrojtje e njerëzve nga shpifjet, lajmet e gënjeshtërta e shantazhet.
“Kur mendon se çfarë do t’i kishte bërë botës propaganda naziste me këtë liri është tronditëse. Përpiquni të imagjinoni se çfarë e keqe po i ndodh botës me këtë nga forcat e së keqes, terrorizmi. pedofilët etj. Të mbrojmë sa më shumë të jetë e mundur lirinë e fjalës dhe ajo të lulëzojë por në të njëjtën kohë kjo nuk mjafton. Na duhet gjithashtu t’i mbrojmë njerëzit. Dua ta mbyll me një histori personale. U ftova të shkruaja një artikull për ‘The Guardian’. Në atë kohë u trondita se sa të sakta donin të ishin në botimin e artikullit tim të shkurtër. Nuk e botuan sepse donin të ndryshonin titullin, unë nuk mund t’i përgjigjesha. Dhe ata pritën të merrnin një përgjigje nga mua. Nëse e krahasoni këtë me atë fluks të pandalshëm informacioni në media në çdo media, duke thënë dhe duke të cituar gjëra që as nuk të kanë shkuar ndër mend e jo më t’i thuash, imagjino çfarë ndodh. Sidoqoftë nuk jam shumë optimist dhe nuk e kuptoj pse televizioni dhe gazetat janë të rregulluara dhe media online nuk mundet. Unë nuk jam i sigurt që vetërregullimi është zgjidhja përkundrejt shpejtësisë.” – shtoi kryeministri Rama.