Ambasada e SHBA-ve ka publikuar sot një mesazh për qytetarët shqiptarë. Në këtë video shfaqet ambasadori i parë i SHBA-ve në Shqipëri William E.Ryerson.
“Ne jemi ende duke festuar 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve tona me Shqipërinë dhe duam të ndajmë me ju një mesazh shumë të veçantë. Javën e kaluar, Ambasadorja Yuri Kim përkujtoi këtë moment historik të rëndësishëm për vendet tona dhe shpalli gjithashtu se rezidenca zyrtare e Ambasadorit Amerikan në Shqipëri tashmë do të njihet si ‘Shtëpia Ryerson’, në nder të William E. Ryerson, Ambasadorit të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Nga Shtetet e Bashkuara, Ambasadori Ryerson dërgoi këto fjalë thjeshtësisht të fuqishme për të gjithë miqtë shqiptarë të cilët i mungojnë.”- shkruan ambasada krahas videos.
Por çfarë thotë ish-ambasadori Ryerson në këtë videomesazh për shqiptarët? Siç duket, edhe pse kanë kaluar shumë vite, Ryerson nuk e ka harruar gjuhën shqipe.
“Zonja ambasadore faleminderit shumë për ftesën. Më vjen shumë keq që nuk mund të jem atje tek ju atje. Nuk është hera e parë që unë nuk mund të jem ku do të ishte mirë të isha. Nuk isha atje kur zyrtarët e parë amerikanë mbërritën në 1991. Nuk isha kur u kthyem në ambasadën tonë më vonë në 1991.
Me sa duket e kam zakon të mungoj shpesh dhe më mungoni ju dhe të gjithë të ftuarit tuaj. Për miqtë e mi shqiptarë atje: Ju përqafoj me mall! Faleminderit, mirupafshim.”– shprehet ai, duke folur në dy gjuhë, anglisht edhe shqip.