Kjo javë i është dedikuar vaksinimit të studentëve, dhe në kuadër të kësaj, sot ka nisur vaksinimi në universitete të ndryshme të vendit përmes grupeve të vaksinatorëve të lëvizshëm.
Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka shpërndarë foto nga vaksinimi që po kryhet në ambientet e universiteteve dhe u ka bërë apel studentëve që të kryejnë vaksinat anti-Covid përpara datës 18 tetor, që shënon dhe fillimin e vitit të ri akademik.
“Në të gjithë vendin ka filluar ‘Java e Vaksinimit Masiv të Studentëve’, të cilët po i bashkohen çdo ditë e më shumë këtij procesi.
I bëj thirrje edhe një herë të gjithë studentëve të pavaksinuar që përgjatë kësaj jave të paraqiten në qendrat e vaksinimit pranë fakulteteve të tyre, për interesin e përbashkët të rikthimit në normalitet, por edhe për të ndihmuar në fillimin e një viti të mbarë akademik.”- shkruan ministrja Kushi.