Pas mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, deputeti Flamur Noka bëri deklarata të forta kundër kryedemokratit Lulzim Basha.
Noka tha se mbledhjen e djeshme të kryesisë së PD-së, Basha i bëri poshtërimin e radhës anëtarësisë dhe elektoratit të PD duke e quajtur ‘llum’. Ai tregon se i kishte kërkuar Bashës të merrte përgjegjësi dhe të jepte dorëheqjen.
“Shqipëria nuk ka pasur në këto 30 vite demokraci një kundërshtar që t’i thotë ‘llum’ anëtarët e PD-së. Basha mbrëmë i bëri poshtërimin e radhës anëtarësisë dhe elektoratit të PD duke e quajtur ‘llum’, Askush nuk ka guxuar, as Fatos Nano as Edi Rama as kundërshtarët më të egër të kësaj force politike, të konsiderojnë qeverinë e Sali Berishës si ‘llum’. Askush nuk ka guxuar, përveç Bashës.
Mbrëmë i kërkova të marrë përgjegjësi. Forca jonë politike po shkon në zgrip, falë vendimit okult të Bashës. Nëse do e donte sadopak këtë forcë, do jepte dorëheqjen për ta bashkuar këtë forcë, Basha mbrëmë konfirmoi se fati i karriges së tij është më i shtrenjtë se fati i PD e demokratëve. Kjo gjë në një forcë demokratike, kurrë nuk mendohej se do ndodhte, Basha mbrëmë konfirmoi fatin e karriges së tij.
Foltorja është zgjidhja, alternativa, foltorja e Sali Berishës është i vetmi shans për ta mbajtur PD të bashkuar e shpëtuar nga rrokullima ku po e çon z.Basha. Foltorja është shpresë dhe firmat po ecin shkëlqyer, baza e PD është për një parti të bashkuar kundër përçarjes që shkaktoi Basha.”– u shpreh Noka.
Mirëpo Partia Demokratike ka reaguar, duke mohuar të jetë përdorur fjala “llum” kundrejt anëtarësisë së partisë, por është përdorur për ata cilët në qeverisjen e PD-së kanë mbushur xhepat me paratë e korrupsionit.
Reagimi i PD-së: “Përpjekje të dëshpëruara dhe, fatkeqësisht, jo për herë të parë për të shtrembëruar të vërtetën e diskutimit në mbledhje. Për asnjë moment, anëtarësia e PD nuk është etiketuar me fjalën llum.
Kjo fjalë është përdorur për ata të cilët në qeverisjen e PD kanë mbushur xhepat me paratë e korrupsionit dhe sot, në partneritet me Edi Ramën dhe njerëzit e tij, duan të përdorin anëtarësinë e PD për interesat e tyre personalë dhe të pushtetit të Ramës. Anëtarësia e PD, militantët e saj të nderuar kanë sfiduar çdo regjim deri më sot, nga ai komunist te ky i fundit Rama-Doshi-Rakipi dhe nuk manipulohet nga asnjë lloj manipulimi që bëhet për llogari të tij.”