Vendosni fjalën kyçe....

FLT rihap për së treti ankandin e energjisë, në dy fazat e para siguroi vetëm 56% të sasisë


Furnizuesi i Tregut të Lirë ka vijuar me fazen e trete te ankandit, këtë të martë, sa i takon sigurimit të energjisë për datat 13-17 tetor. Në platformën e tregtimit tashmë po kërkohet pjesa diferenca që nuk arriti të sigurohej një dit më parë.

Të dhënat zyrtare tregojnë se FTL bleu 24 920 MWh energji që përkon me 56 për qind të sasisë totale të kërkuar prej 44 400 MWh. Në total deri më tani u shpenzua 6.44 milionë euro ndërkohë që çmimi mesatar sipas loteve varioi nga 255 -268 euro/MWh.

Ky është çmimi më i lartë me të cilin vendi ynë ka siguruar ndonjëherë energji në tregun e lirë ndërkohë që në raport me një vit më parë çmimet janë pesë herë më të larta. Furnizuesi i Tregut të Lirë është një nga tre kompanitë e krijuara pas ndarjes së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i ngarkuar me blerjen dhe shitjen e energjisë dhe për tetorin ka zhvilluar dy ankande.

Ky është ankandi i parë pas shpalljes së emergjencës në furnizimin me energji të vendit nga ana e qeverisë e cila do të jetë në fuqi deri më 15 prill 2022. OSHEE sipas planit të veprimit të qeverisë i është shtuar një buxhet 100 milionë euro për të siguruar energji për pjesën e mbetur të vitit ndërkohë që 100 milionë euro të tjera do të shpenzohen për vitin 2022.

Çmimet e energjisë në bursa kanë arritur nivele të çmendura dhe nëse nuk do të kemi përmirësim të situatës hidrike fondi 100 milionë euro i OSHEE mund të “avullojë” për pak kohë por duket se qeveria parasheh që vjeshta të ndryshojë situatën dhe KESH i cili aktualisht edhe vetë po ble energji të prodhojë më shumë nga kaskada e Drinit.

Në Bursën e Hungarisë këtë të martë pësuan rritje dhe në mesatare ishin 228 euro/MWh kurse për pikun një MWh u shit me 255 euro/MWh.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor