Vendosni fjalën kyçe....

Aplikimet për Shkollën e Policisë/ Ministri Çuçi: Niseni karrierën duke ruajtur integritetin moral, mos u gënjeni nga modelet e mbrapshta


Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, iu bëri thirrje të rinjve dhe të rejave që duan t’i bashkohen Policisë së Shtetit si punonjës të rolit bazë, që të aplikojnë.

Kjo thirrje e tij vjen në një kohë kur kanë mbetur vetëm 3 ditë të tjera për përfundimi i afatit për aplikim.

Gjatë fjalës së tij, ministri Çuçi u tha të interesuarve se është shumë e rëndësishme për ata që duan të bëjnë karrierë në Policinë e Shtetit, të ruajnë integritetin moral e profesional që prej ditës së parë të punës.

“Integriteti në punë shënohet që në ditën e parë. Bëjnë karrierë në Policinë e Shtetit ata që kanë integritet të lartë moral dhe profesional.

Niseni karrierën tuaj me synimin për të mos humbur asgjë nga integriteti. Mos u gënjeni nga modele të mbrapshta që prishin karrierën tuaj që në momentet e para. Brezi juaj dhe të tjerët që do të përzgjidhen nga aplikimet e reja, do të ripërtërijë më tej trupën e Policisë së Shtetit. Ne jemi në një fazë që duam ta ulim akoma moshën mesatare në Policinë e Shtetit dhe po investojmë gjithashtu në teknologji të lartë.”- tha Çuçi gjatë një takimi me studentë të Patrullës së Përgjithshme në Policinë e Shtetit, të cilët kanë nisur praktikën pranë Drejtorisë Vendore në Tiranë.

Kujtojmë se Policia e Shtetit ka bërë 2 thirrje publike, për 500 punonjës policie të rolit bazë, që do të jenë Patrullë e Përgjithshme, si dhe për 50 oficerë për Hetimin e Krimit, që vijnë nga të rinjtë ekselentë të fushave të ndryshme si shkencat juridike, ekonomike ose kompjuterike.

Thirrja për rolin bazë është e hapur për aplikime edhe për 3 ditë, deri në 16 tetor, ndërsa thirrja e dytë do të jetë e hapur deri në 27 tetor.