Vendosni fjalën kyçe....

Kërkon të bëhet gjyqtar, magjistrati i dënuar për rrëmbim dhe përndjekje të një vajze


Një student i vitit të tretë në shkollën e Magjistraturës, që aspiron të bëhet gjyqtar i Republikës së Shqipërisë rezulton i arrestuar dhe proceduar për akuzën e “Përndjekjes” dhe “Heqjes së paligjshme të lirisë”, e shoqëruar me kërcënime për kryerje të marrëdhënies seksuale me dhunë.

Në rrethana të paqarta i riu Elis Dine, është bërë pjesë e shkollës së Magjistraturës dhe tashmë ndodhet në fazën e marrjes së statusit të gjyqtarit Magjistrat.

Gazetari Elton Qyno ka investiguar rastin duke zbuluar se Elis Dine, në datën 26 prill 2013 ka rrëmbyer një vajzë të moshës 23-vjeçare me inicialet G.N, duke e futur me forcë në ambientet e makinës dhe më pas transportuar në drejtim të pyllit të Semanit me qëllim për ta future në një banesë të braktisur.

Ngjarja është parë nga kalimtarët të cilët kanë telefonuar policinë e Fierit, të cilët janë vënë në lëvizje duke kërkuar për lokalizimin e mjetit që mori me forcë vajzën e re.

Në dokumentacionin që ka siguruar ‘Ora News’ rezulton se mes dy personave Elis Dine dhe shtetases G.N ka patur një raport intim por më pas vajza ka vendosur ti japë fund kësaj lidhje.

Ajo ka treguar se ish-i dashuri e ka kërcënuar dhe marrë me forcë në makinën e tij, nga Fieri në drejtim të Semanit. E gjithë kjo situatë është shoqëruar dhe me goditje me grushta brenda në makinë.

Gjatë rrugës, vajza ka tentuar në fshatin Topojan që të hapë derën e makinës dhe të hidhet me qëllim për t’u larguar, por Elis Dine, e ka kapur për flokësh duke e mbajtur me forcë.

Teksa të dy ishin duke ecur rreth 30 metra larg banesës, vajza dhe Elis Dine kanë parë se pas tyre po vinte një makinë policie, e cila i ishte vënë në ndjekje automjetit që qytetarët raportuan në Fier se ishte rrëmbyer një vajzë.

Policia ka bërë arrestimin e Elis Dines, duke e akuzuar për “Përndjekje” dhe “Heqje të paligjshme të lirisë”.

Në 29 prill 2013, prokurori Enklid Gjini kërkoi në gjykatë masën detyrim paraqitje ndaj Elis Dines, kërkesë e cila u miratua nga gjyqtarja Irena Gjoka, e cila urdhëroi lirimin e të riut edhe pse e cilësoi arrestimin të ligjshëm.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Ora News