Dy persona janë vënë në pranga dhe 8 të tjerë janë proceduar, pas në aksioni të Policisë së Shtetit për parandalimin e vjedhjes së energjisë elektrike.
Mësohet se është arrestuar në flagrancë shtetasi me inicialet S. K., banues në Bathore, pasi kishte ndërhyrë në matësin elektrik të marketit të tij, me qëllim për të vjedhur energjinë elektrike. Po ashtu është arrestuar edhe shtetasi me inicialet Ll. Sh., banues në Tale, Lezhë, pasi u konstatua se kishte bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në banesën e tij.
Ndërkohë mes 8 të proceduarve, është edhe një faturist i OSHEE-së, i cili akuzohet se nuk ka kryer kontrolle periodike për lidhjet e energjisë elektrike, në zonën që mbulon.
DETAJET E POLICISË
Vijon puna nga strukturat e Policisë së Shtetit, për parandalimin e vjedhjes së energjisë elektrike.
Si rezultat i kontrolleve të përbashkëta me OSHEE-në janë evidentuar 9 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.
Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, në Tiranë dhe në Lezhë, si dhe procedohen 7 të tjerë në Shkodër. Gjithashtu, procedohet dhe një faturist i OSHEE-së, për shpërdorim detyre.
Në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin, kanë vijuar kontrollet në bashkëpunim me OSHEE-në, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të vjedhjes së energjisë elektrike.
Si rezultat, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. K., banues në Bathore, pasi kishte ndërhyrë në matësin elektrik të marketit të tij, me qëllim për të vjedhur energjinë elektrike.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Ll. Sh., banues në Tale, Lezhë, pasi u konstatua se kishte bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në banesën e tij.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër janë proceduar penalisht shtetasit: G. A., E. B., L. H., Gj. Sh., L. H., S. P. dhe M. P., pasi gjatë kontrollit është konstatuar se kishin bërë ndërhyrje në matësin elektrik në banesat e tyre.
Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin u procedua penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi Xh. N., banues në Milot, Kurbin, më detyrë elektricist/faturist pranë OSHEE-së, pasi nuk ka kryer kontrolle periodike për lidhjet e energjisë elektrike, në zonën që mbulon.
Strukturat e Policisë do të vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë në cilëndo fushë që ajo shfaqet. Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë.