Pas takimit me delegacionin e Senatit Amerikan, kryedemorati Lulzim Basha ka dalë në një prononcim për mediat, ku u shpreh se demokracia shqiptare dhe zhvillimet në rajon ishin ndër çështjet kryesore që u diskutuan në takimin 30 minutësh.
“Dy janë çështjet kryesore për të cilat kemi folur me përfaqësuesit e lartë nga Uashingtoni:
Njëra ka të bëjë me demokracinë shqiptare, udhëkryqi në të cilën ndodhet, në veçanti pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, dhe rolin e Partisë Demokratike dhe të opozitës shqiptare në parlament dhe në bashkëpunim me të gjithë forcat e gjalla të shoqërisë shqiptare dhe me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të rikthyer Shqipërinë në shinat e demokracisë, legjitimitetit dhe sundimit të ligjit.
Dhe sigurisht përmes një vendi që është demokratik, ku nuk shkatërrohen por respektohen zgjedhjet e qytetarëve. Ku nuk goditet dhe burgoset i pamunduri, por ndëshkohet politikani i korruptuar apo bosi i krimit të organizuar, të krijojmë një klimë investimesh, nga e cila të përfitojnë shqiptarët përmes vendeve të punës, përmes transferimit të teknologjisë dhe të transferimit të kapitalit amerikan në Shqipëri.
Çështja tjetër, se s’do ta quaja të dytë se mori një pjesë po kaq të rëndësishme të bisedës, ka të bëjë me rajonin dhe në veçanti sa i përket situatës së provokuar nga ringjallja e planeve hegjemoniste serbe përmes proceseve si ai i Novisadit dhe nevojës për të përforcuar praninë politike dhe të gjithanshme amerikane për të ndalur dhe kundërvënë çdo ofensive të forcave joperëndimore ndaj arritjeve 30 vjeçare të ShBA-ve dhe të Boshtit Euro-Atlantik për stabilitetin, paqen dhe demokracinë në Ballkan. Me theks të veçantë për ruajtjen dhe garantimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe përfundimin me sukses të njohjes reciproke si gur i fundit i themelit të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Miqtë u interesuan edhe sa u përket çështjes së anëtarësimit së Shqipërisë në Bashkimin Europian, të cilin e mbështesim plotësisht dhe për konfuzionin e krijuar përmes mosperformancës së autokratit të Ballkanit, duke nisur nga ky i Tiranës dhe nevojës që Bashkimi Europian t’i thotë gjërat qartë, ta vërë gishtin tek plagët e krijuara dhe tek autorët e këtyre plagëve të cilin gjithë shqiptarët e dinë, në këtë rast qeveria dhe kryeministri aktual janë fajtorët e vetëm të harxhimit të kaq shumë shampanje ndërkohë që vendi mbetet jashtë dyerve të Europës. Faleminderit!” – tha Basha.
Delegacioni i cili kryesohet nga diplomatja amerikane Yuri Kim, përbëhet nga të deleguar të Senatit amerikan, me zyrtarët si: Robert Karem, Paul Groce, Mike Levine, Alex MacFarlane dhe Tobei Arai.
Ata fillimisht u pritën nga nënkryetarja e PD-së Jorida Tabaku, e cila më pas i shoqëroi drejt sallës ku do uleshin për të biseduar me Bashën./Hashtag.al