Kreu i PD-së, Basha, ka shpërndarë në faqen e tij në Twitter tre foto nga takimi i djeshëm në selinë blu me në delegacion amerikan.
Kryedemokrati shkruan se me delegacionin e Kongresit amerikan ka folur për gjendjen në Shqipëri, nivelin e lartë të korrupsionit, masakrën zgjedhore e lidhjet e politikës me krimin.
Po kështu Basha thekson se gjatë takimit është diskutuar edhe gjendja në Kosovë e rajon si dhe forcimi i marrëdhënieve mes SHBA-së e Shqipërisë në fushën ekonomike, politike e të sigurisë.
“Kënaqësi të mirëprisja delegacionin e Kongresit amerikan dhe ambasadoren amerikane në Shqipëri, Yuri Kim dhe t’u shprehja mirënjohjen time dhe të PD për mbështetjen e jashtëzakonshme që SHBA i kanë dhënë Kombit shqiptar.Ndava me ta shqetësimin tonë për situatën në Shqipëri, nivelin e lartë të korrupsionit, masakrën zgjedhore dhe lidhjet e politikës me krimin. Diskutuam edhe për situatën në Kosovë dhe rajon. Mbyllja sa më e shpejtë e bisedimeve Kosovë-Serbi me njohjen reciproke, do t’i shërbente paqes dhe stabilitetit në rajon, që sot mbetet i brishtë. Ritheksova se për mua dhe PD-në, SHBA janë partneri ynë strategjik dhe bashkëpunimi sa më i ngushtë ekonomik, politik dhe në fushën e sigurisë është prioritet kryesor i yni.” – shkruan Basha në Twitter.