Vendosni fjalën kyçe....

Sherri mes mësueseve tek “Çajupi”, ministrja Kushi viziton gjimnazin: Ndër vite këtu kanë spikatur talente


Pas sherrit mes mësueseve, ministrja e Arsimit Evis Kushi ka vizituar gjimnazin “Andon Zako Çajupi” në kryeqytet.

Përmes një postimi në Facebook, ministrja Kushi shprehet se kjo shkollë ndër vite ka spikatur përherë me talente e rezultate pozitive në çdo fushë. Ajo i uron nxënësve dhe mësuesve mbarësi në këtë fillim viti shkollor dhe shprehet se kanë diskutuar për lartësimin e figurës së mësuesit.

“Të gjitha profesionet janë të nderuara, por mësuesi mbetet në çdo kohë e në çdo vend figura më e dashur dhe më e respektuar për të gjithë. Vlerat që ai mbart janë të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme në mirëedukimin e fëmijëve tanë.

Nisur nga ngjarja e rëndë ku të përfshira ishin dy mësuese të gjimnazit ‘Andon Zako Çajupi’ në Tiranë, dje zhvillova një vizitë pranë kësaj shkolle, e cila ndër vite ka spikatur përherë me talente e rezultate pozitive në çdo fushë.

Pasi i urova fillimisht shumë suksese e mbarësi nxënësve në këtë fillim viti shkollor, bashkëbiseduam gjerësisht me mësuesit për çështje shkollore që kanë nevojë për adresim, për lartësimin më tej të figurës së mësuesit, si dhe forcimin e vazhdueshëm të Komisioneve të Etikës dhe Disiplinës, për të garantuar vetëm mbarëvajtje në proceset e shkollës.”- shkruan zonja Kushi.

Kujtojmë se pak ditë më parë, ndodhi një përplasje me armë pas sherrit mes dy mësuesve të kësaj shkolle në Tiranë. Fillimisht në sherr u përfshinë dy mësueset e më pas atyre u janë bashkuar edhe familjarët të cilët janë goditur me sende të forta me njëri-tjetrin, e madje kudikush kishte patur edhe armë. Nga ky incident mbetën të lënduar 4 persona.

Pas ngjarjes, zyra Arsimore e Tiranës i ka pezulluar nga puna dy mësueset.