Vendosni fjalën kyçe....

Rrethim i stilit mesjetar në Berlin, policia operacion për dëbimin e radikalëve të majtë nga prona e pushtuar (Video)


Një operacion për të dëbuar banorët nga kampi i krahut të majtë ‘Kopi’ në Berlin është kthyer në një përplasje të stilit mesjetar, pasi oficerët e policisë përdorën kulla rrethimi dhe automjete të blinduara për të goditur ‘muret’ e kompleksit.

‘Autonomistët’ që jetonin brenda projektit të strehimit në Rrugën Kopenicker 137, të referuar zakonisht si ‘Kopi’ nga berlinezët, në qendër të kryeqytetit gjerman kishin forcuar kampin e tyre gjatë javës, duke përfshirë vendosjen e telave me gjemba mbi mure, përpara dëbimit të planifikuar të premten.

Ata u zotuan të mbrojnë shtëpinë e tyre dhe të organizojnë protesta diku tjetër në Berlin, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për të ndaluar policinë për t’i larguar nga prona e pushtuar në mënyrë të paligjshme.

Rreth 2,000 oficerë policie morën pjesë në operacion, disa prej tyre sulmuan kampin e pjesa tjetër parandaluan akte të mundshme provokuese në pjesë të tjera të Berlinit.

Herët gjatë ditës, policia e armatosur deri në dhëmbë rrethoi zonën e u përpoq të hynte brenda kampit. Pamjet tregojnë një mjet të blinduar të policisë që u përdor për të goditur muret e ‘kalasë’ së improvizuar, por pa arritur ta rrëzojë.

Ndërkohë, mbrojtësit e maskuar të kampit hodhën predha të ndryshme e fishekzjarre ndaj policisë, ndërsa luanin muzikë dhe bërtisnin përmes një altoparlanti. Policia më pas solli dy kulla rrethimi të bëra nga shufra metalike për të filluar çmontimin e barrikadave nga lart.

‘Kështjella’ ra vetëm pasi oficerët dobësuan një pjesë të murit me sharra dhe e shqyen atë me një tel tërheqës të bashkangjitur në një mjet të blinduar. Pas kësaj, policia u fut në vrimën e barrikadës e më pas nxorri që andej banorët e Kopit. Mësohet se janë bërë arrestime të shumta gjatë operacionit.

Anëtarët e grupit të majtë radikal të Berlinit janë mbledhur në rrugën Kopenicker që nga vitet 1990 dhe madje ishin në gjendje të legalizonin praninë e tyre në pronë. Por ndërtesa ishte në ankand dhe këtë qershor gjykatësi urdhëroi që ata të dëboheshin.

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani