Në ditën kur po mbahen zgjedhjet lokale, policia e Kosovës njofton se ka arrestuar katër persona të cilët dyshohet të kenë blerë vota.
Arrestimet janë bërë në mbrëmjen e djeshme, pak orë para zgjedhjeve lokale që po mbahen sot në të gjitha komunat e vendit.
“Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, njoftojnë opinionin publik se mbrëmë më 16 tetor 2021 në orët e vona, janë arrestuar katër (4) persona në Kllokot, me inicialet A.D., M.K., A.T dhe Xh.B., në lidhje me procesin zgjedhor dhe me këtë dyshohet se kanë kryer veprat penale “Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 i KPRK-së dhe “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin” nga neni 212 i KPRK-së.
Katër të dyshuarit e arrestuar me urdhër të prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre ligjore, në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit, andaj inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës dhe njëherit të raportojnë për ç’do rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor.”-thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Qytetarët e Kosovës po i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokal, asamblistët dhe kryetarët e 38 komunave. Në këto zgjedhje për postin e kryetarëve të komunave garojnë 166 kandidatë, 152 burra dhe 14 gra.