Vendosni fjalën kyçe....

Jorida Tabaku: OSHEE çoi paratë e shqiptarëve në parajsa fiskale


Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar OSHEE-në se paratë e shqiptarëve i ka çuar në kompani offshore.

Në një postim në “Facebook”, Tabaku shkruan se kompanitë me pronarë të fshehur në offshore janë kthyer në kampionet e koncesioneve dhe përfituese të parave të taksave. Ajo shton se edhe inceneratori Tiranës është offshore, por që sipas saj nuk është i vetmi.

Zonja Tabaku bën kritika edhe për ligjin për deklarimin e pronarëve fundorë pasi sipas saj është vetëm sa “për sy e faqe” dhe nuk zbatohet.

“Fatkeqësisht kompanitë me pronarë të fshehur në offshore janë kthyer në kampionet e koncesioneve dhe përfituese të parave të taksave.

Nuk ishte dhe aq habi kur pashë se edhe paratë e kompanive me fonde publike si OSHEE, kanë çuar paratë e shqiptarëve tek kompani offshore.

Inceneratori Tiranës gjithashtu është offshore por nuk është i vetmi.

Fatkeqësisht ligji për deklarimin e pronarëve fundorë vazhdon të vuajë problematikën e ligjeve sa për sy e faqe. Shumë kompani e kanë shumë të thjeshtë te paguajnë një gjobë dhe mos deklarojnë pronarët, kundrejt një përfitimi qindra herë më të lartë të parave publike.

I krijuar me qëllimin për të mos qenë asnjëherë një ligj eficent ai nuk përpiqet të zgjidhë pikëpyetjen e pronarit fundor por të bëjë kinse.

Prandaj kush ndëshkohet nga ligji nuk janë realisht pushtetarët që marrin fonde publike por bizneset e ndershme apo dhe OJQ-të.

Sot, asnjë qytetar nuk ka aksesin për të parë rregjistrin e famshëm të Pronarëve realë dhe aq më pak të ketë një pasqyrë të saktë se ku shkojnë paratë e taksave shqiptare.

Sot jemi në listën gri të pastrimit të parave, fonde publike shkojnë në parajsa fiskale, sot jemi në një krizë energjtike dhe prej makutërisë dhe vjedhjes së buxhetit të shtetit dhe nqs duhet të merren masa fillojmë me shkëputjen e lidhjeve të zyrtarëve që marrin kontrata publike duke i fshehur në kompani offshore!

Sot Shqipëria duhet të ketë të njejtin standart si vendet anëtare, kontratat publike nuk mund të shkojnë në duar të panjohura dhe as korrupsioni të legalizohet përmes komaonive guacka! Kaq e thjeshtë!”- shkruan deputetja Tabaku.