Policia e Kukësit ka realizuar një operacion kundër ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Mësohet se është arrestuar një nga organizatorët e dyshuar të lojërave të fatit Besmir Sulaj, si dhe është shpallur në kërkim një tjetër Fation Elezaj që kishte vënë në dispozicion lokalin që kishte marrë me qira, për ta përdorur për lojëra fati, shpërndarje e përdorim të drogave të forta.
Gjithashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë dhe 7 persona të tjerë, për moskallëzim krimi. Gjatë konrolleve të policisë, në lokal u gjet edhe një sasi kokaine.
Njoftimi i policisë:
Në funksion të procedimit penal të nisur më parë për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe të ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit, nisur edhe nga informacionet e marra se personat organizatorë mund të ishin të armatosur dhe rrezikohej jeta e punonjësve të Policisë në operacion, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në bashkëpunim me RENEA-n, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, organizuan dhe finalizuan operacionoin policor të koduar “Vila”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi B. S., 35 vjeç, me precedent penal të mëparshëm në fushën e narkotikëve, i dyshuar si organizator i shpërndarjes së drogave të forta dhe ushtrimit të paligjshëm të lojrave të fatit, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit F. E., 34 vjeç, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve, i dyshuar për ushtrim pa licencë të lojërave të fatit, përshtatje të lokalit për përdorim droge dhe prodhim e shitje të narkotikëve.
Gjithashtu u proceduan penalisht për moskallëzim krimi, edhe 7 shtetas të tjerë, të cilët u gjetën duke luajtur lojra fati në lokalin e marrë me qera nga shtetasi i shpallur në kërkim F. E., i cili e kishte përshtatur lokalin për shpërndarje të drogave të forta dhe ushtrim të paligjshëm të lojrave të fatit.
Gjatë kontrollit në lokal, në qytetin e Kukësit, shërbimet e Policisë sekuestruan një sasi kokaine, sende që shërbenin për përdorimin e lëndës narkotike kokainë, ekstazi, çipsa, letra bixhozi, peshore elektronike, tavolinë pokeri dhe një sasi parash.
Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e shtetasit të arrestuar B. S., shërbimet e Policisë gjetën edhe një sasi tjetër kokaine të futur në një qese plastmasi.
Operacioni vijon për kapjen e personit në kërkim, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në organizimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.