Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj në një komunikim për mediat nga selia blu, ka folur për Vettingun e Politikanëve.
Rushaj u shpreh se në Vettingun e Politikanëve do përdoret i njëjti standard si në vettingun e magjistratëve, prokurorë dhe gjyqtarë, dhe nuk ka asnjë arsye politikanët të përdorim një standard tjetër.
“Në propozimin tonë ne kemi përfshirë standardin i cili është diskutuar, miratuar, aplikuar dhe gjetur në përputhje me të gjitha konventat për rastin e magjistratëve. Nuk është e arsyeshme që gjyqtarët dhe prokurorët të gjykohet integriteti i figurës së tyre mbi bazën e një standardi, ndërsa ne politikanët të përdorin ndaj vetes të përdorim një standard tjetër. Ajo çfarë ju keni lexuar tek drafti ëshët diçka që tashmë ka kaluar në të gjitha filtrat e gjyqësorit, përfshirë edhe diskutimet apo opinionet që ka dhënë Komisioni i Venecias.
Çdo fjalë e përfshirë në draftin tonë është fjalë e marrë nga standardi që është vendosur tek magjistratët. Në qoftë se ju do ta kishit këtë shqetësim, këtë gjë duhet ta kishit bërë pak më përpara tek magjistratët. Por pavarësisht kësaj është marrë në atë formë që është rakorduar dhe kaluar në të gjitha filtrat e ligjshmërisë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese dhe opinionit e Komisionit të Venecias.
Unë nuk shoh dualizëm. Basha është shprheur qartë edhe dje. Së pari, cili është qëndrimi i PD për këtë punë? Ne padyshim që kemi rezerva me punën e SPAK-ut dhe nuk është që është kemi lëvizur nga ai qëndrim. Ne po investojmë tek kjo gjë, për dy arsye.
Së pari, sepse nuk kemi asgjë për të fshehur dhe nuk kemi asnjë merak pavarësisht se kush e bën vetingun e politikanëve.
Së dyti, duke qenë një proces publik dhe jo pas dyerve të mbyllura, prokurorët e SPAK-ut që do të merren me këtë punë, do të duhet që ta bëjnë vendimmarrjen e tyre publike. Standardi, do të jetë standard publik. Nuk mundet që kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj të gjykohet në bazë të një standardi, ndërsa ai i grupit të PS-së, Taulant Balla, të gjykohet në bazë të një standardi tjetër. Në qoftë se kjo bëhet publikisht, pastaj kjo do të jetë gjykimi më i mirë që qytetarët shqiptarë do t’i japin SPAK-ut.”- deklaroi Rushaj.