Vendosni fjalën kyçe....

Vdekja e katër turistëve rusë, dalin detaje nga dosja e prokurorisë dhe dëshimitë e stafit të hotelit


Gjetja e pajetë e katër turistëve rusë në Qerret është ende e pazbardhur se cili ka qenë shkaku i vërtetë.

News 24 ka zbardhur pjesë nga dosja të dëshmive të stafit të hotelit ku u gjendën të pajetë Sergey Burenkov, 60 vjeç, dhe bashkëshortja Natalya Burenkova, 58 vjeç, së bashku me vajzën e tyre, Ekaterina, 31 vjeç, dhe partnerin e saj, Nikita Belousov.

Dëshmitë e stafit të hotelit:

Xhudiljana Pole, datëlindja 1994 – jam menaxhere e përgjithshme në hotel Gloria Palace në Qerret ku kam si detyrë organizimin, menaxhimin dhe drejtimin e punës. Me datë 15 tetor 2021 rreth orës 18.30 kam ikur nga puna dhe kam shkuar në shtëpi. Rreth orës 22.00 më njoftuan nëpërmjet telefonit nga stafi ku më kanë thënë se ka njerëz pa ndjenja në ambjentet e SPA, Gloria Hotel. Më pas kam mbërritur dhe kam marrë informacion ku kishin ndërruar jetë 4 shtetas rus, të cilët quheshin Ekaterina Burenkova, Nataliia Burenkova, Sergei Burenkov dhe Nikita Belousov. Këta shtetas janë akomoduar në hotel Gloria ditën e diel në darkë me agjenci turistike ku i shoqëronte një person me emrin Maria, e cila është shtetase bjelloruse dhe u bënte guidën. Këta shtetas kanë prenotuar për qëndrim një javor në hotel Gloria.

Këta turistë rus më të shumtën e kohës e kalonin jashtë hotelit, duke udhëtuar pasi kishin marrë një automjet me qira mesa di unë. Këta klientë një ditë më parë, në datë 14 tetor 2021 kanë rezervuar në recepsion për ditën e nesërme që të përdornin ambientet e SPA-së më datë 15 tetor. Rreth orës 15.00 vajza e recepsionit ka njoftuar pasi këta klientë kishin njoftuar dhe nëse SPA ishte gati me kushtet e duhura. Unë rreth orës 16.30 kam qenë e shoqëruar nga përgjegjësi i sallës dhe kemi bërë një kontroll të ambienteve të pishinës ku kemi kontrolluar temperaturën e ambientit e cila ishte 28 gradë bazuar në pajisjet treguese të kondicionerëve, higjienën dhe temperaturën e ujit të pishinës të cilët e kam prekur me duar dhe më është duhur mesatarisht i ngrohtë. Po ashtu kam kontrolluar nga jashtë se sa gradë ishte uji i ngrohtë i pishinës ku çdo gjë ishte sipas kushteve dhe parametrave dhe tregonte sipas aparaturës 27 gradë. Dua të them se bazuar në gjërat që kontrollova në SPA çdo gjë ishte brenda normave. Këta shtetas janë future në ambientet e SPA rreth orës 20.30 dhe vajza e recepsionit Hane Kërçuku ka shkuar për të qëndruar dhe për tu afruar ndihmë se mos u nevojitej ndonjë send. Klientët i janë përgjigjur se janë mirë dhe nuk duan asnjë send dhe duan të qëndrojnë në privatësinë e tyre. Pas rreth 30 minutash vajza e recepsionit ka shkuar përsëri me sanitaren për ti pyetur nëse u duhej ndonjë send dhe sanitarja për të pastruar se mos ishte e nevojshme dhe në këtë moment i kanë gjetur turistët pa ndjenja në ambientet e pishinës.

Pyetje: A mund të më thuash nëse këta klientë rusë të cilët kanë humbur jetën në ambientet e SPA çfarë kanë konsumuar në datën 15 tetor 2021?
Për sa më pyesni dua të them se këta shtetas kanë dalë nga ambientet e hotelit rreth orës 06.30 të datës 15 tetor 2021 dhe janë kthyer në këtë datë rreth orës 20.00. Nuk kam dijeni se çfarë konsumuar ne hotel, por di të them se kur kanë ardhur janë interesuar për rezervimin e ambienteve të SPA.

Recepsionistja Hane Kërçuku e datëlindjes 1997- aktualisht punoj tek Gloria Palace në Qerret, si recepsioniste. Kam që në fillim të sezonit veror që punoj në këtë subjekt. Në punë isha ditën e enjte dhe ditën e premte turni i dytë nga ora 15.00 deri në orën 23.00. Gjatë këtyre dy ditëve në hotel kanë qenë dy dhoma të prenotuara nga turistë rusë dhe quheshin Ekaterina Burenkova, Nataliia Burenkova, Nikita Belousov dhe Sergei Burenkov. Me këta turistë pothuajse nuk kam patur kontakt, pasi qëndronin të distancuar. Të enjten në mbrëmje kanë ardhur tek recepsioni dhe njëri nga këta fliste anglisht dhe më ka thënë se donin të përdornin ambientet e SPA. Unë i kam thënë se duhet të më thoni një ditë përpara dhe më thanë që të nesërmen që i binte ditë e premte ishin në një udhëtim dhe nga ora 20.00 ambientet e SPA të ishin të përgatitura për ta. Ambienti i brendshëm pishina është ndezur rreth orës 16.00 po jo nga unë, ndërsa unë para orës 20.00 kam ndezur pjesën e xhakuzit ku është thjesht një buton që duhet rrotulluar. Këta persona pasi janë kthyer nga një udhëtim pas orës 20.00 kanë kaluar në recepsion dhe më informuan se do ti përdornin tani këto ambiente. I informova se nëse dëshironin ti shoqëroja unë, nëse jo mund të shkonin vetë me anë të ashensorit nga dhoma direkt tek ambientet e SPA. Në dukje më ngjanë si të lodhur, mbase nga udhëtimi që ata kanë bërë. Kanë shkuar lart në dhomë dhe kanë zbritur vete. mbase pas 10 minutash mesa më kujtohet kam shkuar tek ambientet për kontroll dhe nëse i nevojitej diçka, i kam parë që po leheshin në pishinë dhe kur i pyeta se nevojitej ndonjë gjë më kanë thënë se duan privatësi. Jam ngjitur lart të recepsioni ku kam parë punët e tjera dhe rreth orës 21.45 kanë shkuar tek turistët rusë sëbashku me sanitaren Sara Deliu për tu thënë se për pak këto ambiente do të mbylleshin dhe kur kam shkuar atje kam parë se turistët ishin të shtrirë njëri të shezlong, njëri afër shezlongut dhe dy të tjerë në dysheme afër pishinës. Jam afruar, kam thirrur sanitaren, u kam folur anglisht, por nuk mora përgjigje. Jam trembur dhe i them sanitares që të lajmërojë stafin. Kanë ardhur edhe dy klientë dhe stafi i hotelit dhe pasi i kanë parë kanë lajmëruar ambulancën pasi mendonim mos u kishte rënë të fikët. Më pas ka ardhur ambulanca së bashku me mjekun dhe mësuam se katër turistët rusë kishin vdekur.

Pyetje: Çfarë kontakti keni patur me turistët rusë gjatë këtyre dy ditëve?

Si përmenda më sipër punën e marr punën në orën 15.00 dhe e lë në orën 23.00 dhe me këta shtetas kanë patur vetëm kontakt për ambientet e SPA dhe kur kalonin të recepsioni më përshëndesnin.

Pyetje: Ditën e djeshme ju deklaroni se kanë patur një udhëtim mund të na thoni se ku kanë shkuar?

Kanë porositur mëngjes për ta marrë me vete në orën 06.30 dhe me sa kuptova do të shkonin në Maqedoni.

Pyetje: Turistët rusë kur kanë ardhur në Hotelin Gloria Palace?

Këta shtetas kanë ardhur ditën e dielë ku do të rrinin një javë, por unë i kam njohur të enjten mbasdite, pasi ditët e tjera nuk kam qenë në punë.

Ndriçim Halilaga, i datëlindjes 1962 – në muajin maj të vitit 2021 unë kam filluar punë tek Gloria Palace në Qerret Golem Kavajë, me administrator Ervin Dulla. Aty kryej punë si punëtor mirëmbajtje tek Hoteli dhe bëj pastrimin e pishinës, poshtë tek SPA, çdo ditë në mëngjes. Pastrimin e bëj me pompë dhe me fshesë duke hequr pisllëqet në pishinë. Pasi mbaroj pastrimin unë i bëj lavazh filtrave të pishinës. Ndez pompat dhe i hedh një gotë uji me klor tek kanali i shkarkimit të pishinës. Pishina ka kapacitet 60 ton ujë. Më datë 15.10.2021 unë si çdo ditë kam bërë pastrimin e pishinës tek SPA. Pastrimin e kam bërë rreth orës 08:00 apo ora 08:30 dhe tek kanali kullues kam hedhur një gotë uji me klor dhe pastaj jam marrë me punë të tjera në hotel. Punën e filloj çdo ditë në orën 07:00 dhe e lej në orën 15:30 apo 16:00 si të kem punë. Me datë 15.10.2021 unë jam larguar nga puna në orën 16:00.

Pyetje:A mund të më thuash se çfarë profesioni keni?

Përgjigje: Unë nuk kam profesion, jam punëtor. Punën për pastrimin e pishinës ma ka mësuar puntori që ishte para meje dhe siç më ka rekomanduar ai unë kam vepruar për pastrimin dhe mirëmbajtjen e pishinës.

Pyetje: Pervëç klorit a hedh solucion tjetër në Pishin, nëse po çfarë solucioni?

Përgjigje: Jo, përveç klorit nuk hedh asgjë tjetër.

Pyetje: A mund të më thuash se si e kontrollon cilësinë e ujit në pishinë?

Përgjigje: Unë cilësinë e ujit në pishinë e kontrolloj nëpërmjet shiringave, tre copë i mbush me ujë të pishinës dhe me sy shikoj ngjyrën, në rast se ngjyra e ujit është e zbehtë uji ka filluar me thyer ngjyrën dhe në këto raste unë i bëj sa më shpesh lavazh filtrave të ujit të pishinës. Lavazhin e bëj nëpërmjet levave të veta që kanë filtrat, pra me anë të tyre bëhet qarkullimi i ujit në pishinë dhe uji bëhet më i pastër dhe filtrat pastrohen. Lavazhin në verë e bëja pothuajse përditë. Tani e bëj njëherë në dy ditë. Dua të deklaroj se me datë 15.10.2021 unë kam bërë lavazhin e filtrave të pishinës. Gjatë kryerjes së lavazhit nuk përdoret ndonjë solucion, pasi nuk është e nevojshme, lavazhi bëhet vetëm për të qarkulluar uji që të pastrohen filtrat. Dua të deklaroj se në pishinë unë hedh vetëm klor, një gotë me klor. Për herë të fundit unë një gotë me klor e kam hedhur ditën e hënë më datë 11.10.2021 dhe ditën e premte më datë 15.10.2021.

Pyetje: Po dezinfektim për covidin a ke bërë në hotel, nëse po kur është bërë, kush e ka bërë dhe me çfarë preparati është bërë?

Përgjigje: Në lidhje me pyetjen sqaroj se unë nuk bëj dezinfektim për covid, nuk di gjë nëse është bërë apo jo, unë nuk kam detyrë ta bëj këtë, kështu që nuk kam dijeni nëse është bërë apo jo dezinfektimi për Covid në Hotel.

DOSJA E PROKURORISË

Më datë 15.10 rreth orës 22.10 është marrë njoftimi se në Qerret, Golem Kavajë në Hotel Gloria Palace, në ambjentet e SPA-së janë gjendur 4 persona pa shenja jete. Në vendngjarje ka shkuar grupi I hetimor dhe nën drejtimin e prokurorit janë kryer veprimet e para hetimore ku rezultoi se shtetasit rus: Sergei Burenkov, 60 vjec, Natalia Burenkova, 58 vjece, Ekatetina Burenkova 31 vjece dhe Nikita Belousov, 37 vjec të akomoduar me pushime në hotel, që më datë 10 tetor 2021 janë gjendur pa shenja jete në ambjentet e SPA-së nga personeli i hotelit rreth orës 22.00 datë 15.10.2021. Nga kqyrja e jashtme e kufomave nuk u konstatuan shenja dhune. Keta shtetas në orën 10.07 datë 15.10.2021 kanë dalë nga pika kufitare e Qafe Thanës dhe janë kthyer në orën 17.07 datë 15.10.2021 nga pika kufitare Tushemisht. Rreth orës 20.00 janë kthyer në hotel ku dhe kanë prenotuar ambjentet e SPA-së. Kufomat janë trasportuar në morgun e QSU, Tiranë ku do t’i nënshtrohen ekspertizës mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes.

Nga verefikimet e kryera rezultojnë se viktimat janë në marrëdhënie të posacme mes tyre, dy prindër, vajza dhe dhëndërri i tyre.
Nga kqyrja e vendit të ngjarjes u konstatua se: Kufomat u gjetën në katin perdhe (kati 0) të godinës së hotelit ku në anën verioe të këtij kati ndodhet zona e pishinës së ngrohtë dhe SPA-së. Të vendosur në një ambjent me permasa 22.2 -8.4 m, në qendër të të cilit ndodhet pishina me përmasa 11.5 x 6.5 m me volum 60m3uji. Në skajin veri perëndimor të këtij ambjenti gjendet e vendosur, sauna e cila në momentin e kqyrjes rezulton në punë dhe në pultin e saj lexohet shënimi elektronik 19.14 dhe temperature 63 gradë celcius. Përreth perimetrit të pishinës gjenden të vendosura radhazi shezllone plastike me ngjyrë të bardhë.

Në cepin verilindor të pishinës pranë shezlongut të parë në radhë, përdhe gjendet e shtrirë në mënyrë të crregullt kufoma e një shtetasi mashkul i identifikuar më pas si ajo e shtetasit Sergei Burenkov. Në anën lindore të pishinës në mesin e gjatësisë së saj gjenden pranë njëri-tjetrit dy kufoma të tjera një mashkull dhe një femër e identifikuar si Natalia Burenkova dhe Nikita Belousov dhe këto dy kufoma të shtrira në gjendje të çrregullt. Në anën perëndimore të pishinës në shezllonin e mesit gjendet e shtrirë dhe pa asnjë jete në shezllon kufoma e shtetases Ekaterina Burenkova.

Nga kqyrja me sy të lirë tek asnjëra nga kufomat nuk u vërejtën dëmtime trupore. Nga ky ambjent u morën në cilësonë e provave materiale dy telefona cellular të viktimave dhe veshja të përdorura prej tyre. Në vijim nga uji i pishinës u morën conform procedurave standarte për ekzaminim të mëtejshëm laboratorik dy kampione uji, të ndarë një njëri-tjetri një për ekzaminim me volum 1000 ml dhe një për ruajtje volum 100 ml. Gjithashtu u morën për ekzaminim të mëtejshëm edhe dy kampionë pluhur në dukje si klor që pëdoret për dezinfektimin dhe përpunimin e ujit të pishinës, kampionët e klorit u morën të ndara në masën nga 100 ml seicila një prej analiza dhe tjetra për ruajtje. Gjithashtu nga dhomat në të cilat ishin akomoduar viktimat u morën për ekzanimime të mëtejshme produktet ushqimore dhe mbetje të tyre me qëllim ekzanimimet.

Në funksion të veprimeve hetimore për këtë ngjarje ndër të tjera janë administruar edhe pamjet filmike të kamerave të sigurisë ku nga kqyrja paraprake e tyre rezulton se viktimat deri në momentin e futjes në ambjentet e SPA-së kanë qenë në gjendje të rregullt fizike.