Vendosni fjalën kyçe....

Alfred Rushaj me banorët në Kinostudio: Qeveritarët duan të na shembin Pallatin, si po abuzojnë me bonuset e qirave


Nënkryetari i PD-së, Alfred Rushaj ka shkuar sot në Kinostudio, ku është takuar me disa familje të zonës, të cilët kanë shprehur shqetësime për shembjen e dyshimtë të pallatit ku banojnë 2 vjet pas tërmetit.

Në bisedën me deputetin e tyre, banorët shpjeguan se ekspertiza e parë e ka nxjerrë pallatin të sigurtë dhe të banueshëm, por një ekspertizë e mëvonshme e cilësoi në rrezik shembje.

“As nuk kanë ardhur për ta parë. Pallatin 5 katësh, në letra e kanë nxjerrë 3 katësh me tulla silikate, që nuk përputhet me realitetin”- tha një banor, që dispononte të gjithë dokumentacionin.

“Pas tërmetit, Drejtori i Institutit të Ndërtimit, i ndjeri Agron Hysenlliu, ka hyrë në 250 familje, i shoqëruar nga unë, dhe në asnjë rast nuk ka thënë se këto pallate duhen prishur, por ka thënë ‘vij e banoj me gjithë fëmijët e mi pa asnjë lloj meraku’. Përkundër kësaj, sajuan një ekspertizë të rreme, të nxitur nga disa politikanë dhe oligarkë të lidhur me qeverinë”– u shpreh një banor tjetër. 

Banorët e pallatit në Kinostudio besojnë se pas shembjes së pallatit qëndrojnë interesa financiarë të lidhur me pushtetin: “Kemi të dhëna se për të rrëmbyer këtë tokë janë të interesuar politikanë në parlamentin shqiptar dhe njerëz të lidhur me pushtetin, që të ndërtojnë biznesin e tyre në kurrizin tonë”- tha një banor. “Duan të bëjnë grabitjen e tokës, pasi ndërpret një pjesë të madhe toke shumë pranë rrethrrotullimit të unazës së re të madhe. Ka interes që kjo tokë të marrë një zhvillim tjetër dhe ne të na lëvizin diku tjetër. Këtu ka interesa private të lidhura ngushtësisht me pjesën e tokës.” 

Gjatë fjalës së tij, Alfred Rushaj, e konsideroi këtë një nga rastet që tregon sjelljen mafioze të qeverisë. 

“Ata nuk e kanë merakun tek siguria, sepse po ta kishin tek siguria, ju nuk do të ishit akoma në shtëpitë tuaja. E kanë patur merakun tek zgjedhjet.

Edhe fatkeqësinë e tërmett duan ta shfrytëzojnë për biznes dhe gjejjnë një periudhë kur ju nuk keni mundësi ta shprehni revoltën me votë. Fakti që kanë ardhur për t’ju bërë presion se do të presin ujin dhe dritat, është një veprim mafioz. Kur kanë dashur mafiozët të lirojnë tokë, kështu e kanë bërë.”- janë fjalët e Rushajt, i cili nuk i viziton për herë të parë këta banorë, por ka shkuar edhe më parë për të diskutuar për të njëjtin problem.

Banorët e Pallatit në fjalë u ankuan edhe për abuzimet me fondet e qerasë nga kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, i cili është njëkohësisht dhe deputet i zonës.

“Një pjese të mirë u japin bonus qeraje dhe qëndrojnë brenda në shtëpi. Disa kanë dhënë shtëpitë edhe me qera. Përmes këtyre personave na bëhet presion për të dalë që të shembet.”- tha një banor.