Presidenti Joe Biden ka deklaruar se SHBA do të mbrojë Tajvanin në rast se Kina do të sulmonte, në një largim të dukshëm nga pozicioni i politikës së jashtme të SHBA-ve.
Por një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë më vonë u tha disa mediave amerikane se komentet e tij nuk nënkuptonin një ndryshim në politikë.
SHBA ka një ligj sipas të cilit duhet të ndihmojë Tajvanin të mbrojë veten. Por ama ndjek një politikë të “paqartësisë strategjike”, ku është qëllimisht e paqartë se çfarë do të bënte në të vërtetë SHBA-ja nëse Kina do të sulmonte Tajvanin. Kina ende nuk i është përgjigjur komenteve të zotit Biden.
Çfarë thanë Biden dhe Shtëpia e Bardhë?
Në një event të CNN, një pjesëmarrës iu referua raporteve të fundit se Kina kishte testuar një raketë hipersonike. Ai e pyeti zotin Biden nëse mund të “zotohej se do të mbronte Tajvanin” dhe çfarë do të bënte për t’u matur me zhvillimin ushtarak të Kinës.
Biden u përgjigj: “Po dhe po”. Ai shtoi se nuk kishte nevojë të “shqetësohej nëse ata do të jenë më të fuqishëm”, sepse “Kina, Rusia dhe pjesa tjetër e botës e dinë se ne jemi ushtria më e fuqishme në historinë e botës”.
Më pas, Biden u pyet për herë të dytë nga prezantuesi i CNN, Anderson Cooper, nëse SHBA-të do t’i dilnin në mbrojtje të Tajvanit në rast të një sulmi nga Kina.
“Po, ne kemi një angazhim për ta bërë këtë.”– u përgjigj presidenti amerikan.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë më vonë u duk se u tërhoq nga komentet e presidentit Biden, duke u thënë mediave amerikane se SHBA “nuk po njoftonte asnjë ndryshim në politikën tonë”.
Kjo nuk është hera e parë që kjo ndodh. Në gusht, Biden duket se sugjeroi të njëjtin qëndrim ndaj Tajvanit në një intervistë për ABC News. Shtëpia e Bardhë kishte thënë gjithashtu atëherë se politika e SHBA-së ndaj Tajvanit nuk kishte ndryshuar. SHBA nuk ka lidhje zyrtare diplomatike me Tajvanin, por i shet armë si pjesë e Aktit të Marrëdhënieve me Tajvanin, i cili thotë se SHBA duhet t’i sigurojë ishullit mjetet për t’u mbrojtur. Por SHBA ka lidhje formale me Kinën, dhe gjithashtu diplomatikisht pranon qëndrimin e Kinës se ka vetëm një qeveri kineze.