Është mbledhur sot Komisioni i Ekonomisë dhe Financave, me pjesëmarrjen fizike të deputetëve të opozitës dhe të maxhorancës.
Gjatë mbledhjes së Komisionit, nënkryetarja e PD Jorida Tabaku ngriti pikëpyetje në lidhje me borxhin publik të Shqipërisë. Ajo argumentoi se ekonomia shqiptare nuk ka pasur ndonjë përfitim nga rritja e borxhit përkundrazi borxhi është marrë për të paguar pagat e të punësuarve.
“Qeveria e gjeti borxhin në 2013 në vlerën e 6.3 mld euro ndërkohë që në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 borxhi ka kapur vlerën e 10.29 mld euro. Nga një rritje e tillë e borxhit çfarë ka përfituar ekonomia shqiptare?! Dukshëm asgjë!”– u shpreh Tabaku.
Ajo shtoi më tej se situata në tregjet botërore dhe mbi të gjitha situata në ekonoominë globale do të ndikojë negativisht në normën e interesit për eurobondin. Nënkryetarja Tabaku argumentoi se Eurobondi do të ndikohet në normën e interesit dhe në treg edhe nga situata e Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve. “Po merret borxh për paga, pensione dhe koncesione që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Borxhi ka arritur në 95% të PBB!”, shtoi ajo.
Tabaku nënvizoi se situata e borxhit dhe manaxhimi i borxhit është trajtuar dhe nga FMN e cila ka kritikuar qeverinë Rama për të dy aspektet e manaxhimit dhe gjithashtu përdorimit të tij. FMN, sipas Tabakut, ka kritikuar në mënyrë të vazhdueshme shpenzimet e qeverisë duke vënë theksin tek mungesa e eficencës dhe dërgimit të borxhit në shpenzime jo eficente si ato të PPP-ve.