Shtetet e kontrolluara nga republikanët po përpiqen gjithnjë e më shumë të rekrutojnë oficerë të zbatimit të ligjit që humbasin punën e tyre, për shkak se nuk kanë bërë vaksinën kundër Covid-19.
Florida ka vendosur t’u ofrojë policëve të shteteve të tjera amerikane, që nuk duan të bëjnë vaksinën me detyrim, një bonus zhvendosjeje prej 5 mijë dollarësh.
Guvernatori i Floridas Ron DeSantis i tha “Fox News” të Dielën se ai shpreson të nënshkruajë legjislacionin që autorizon shpërblimet e punësimit si pjesë e një përpjekjeje për të luftuar urdhrat e vaksinave “jokushtetuese” dhe për të plotësuar nevojën për më shumë oficerë në shtetin e tij.
Guvernatori republikan thirri të Premten një seancë të posaçme legjislative për të miratuar projektligjin e nevojshëm për të mbrojtur banorët nga humbja e punës për shkak të urdhrave të detyrueshëm të vaksinave.
“Në Florida, jo vetëm që do të duam të mbrojmë zbatimin e ligjit dhe të gjitha punët, ne në fakt po punojmë në mënyrë aktive për të rekrutuar ligjzbatues jashtë shtetit sepse ne kemi nevoja në policinë tonë dhe departamentet tona.”– tha DeSantis tha në një intervistë për “Fox News”, duke përmendur detyrimin për kryerjen e vaksinave në shtete të tilla si Washington-i dhe New York-u.
“Pra, policë që në New York, Minneapolis, Seattle, nuk po trajtoheni mirë, ne do t’ju trajtojmë më mirë këtu, ju mund të plotësoni nevoja të rëndësishme për ne dhe ne do t’ju kompensojmë si rezultat.”– tha guvernatori i Floridas.
DeSantis argumentoi se ata oficerë që ishin shëruar nga Covid-19 duhet të përjashtohen nga detyrimi për faktin se ata kanë krijuar “imunitet natyror” ndaj virusit.
Shtete të tilla si Indiana, Arizona dhe Alaska tashmë kanë qenë duke u ballafaquar hapur me oficerët e detyruar të largohen nga punët e tyre, sepse ata nuk duan të vaksinohen kundër Covid-19.
Sindikata e policisë së Çikagos, ndërkohë, ka vlerësuar se më shumë se 3 mijë oficerë në qytet përballen me largimin e mundshëm nga vendet e punës për shkak të refuzimit të tyre për t’u vaksinuar.