Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj me përfaqësuesit e transportit publik: TVSH-në s’e heqim por bëjmë rimbursim, do subvencionojmë dhe me 1 milionë euro operatorët


Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka zhvilluar pasditen e sotme një takim me përfaqësuesit e transportit publik, pas reduktimit të urbanëve në shenjë proteste nga ana e tyre.

Në këtë takim, Veliaj ka bërë me dije se do të rimbursohet TVSH-ja dhe akciza e naftës për sektorin e transportit publik, por me kushtin që ata të bien dakord për vendosjen e GPS. Ai theksoi se nuk do të ketë heqje TVSH-se apo akcize, pasi sipas tij mund të lindin hapësira për abuzim.

 Veliaj premtoi 1 milionë euro për linjat urbane nga buxheti i 2022.

“Kam diskutuar me kryeministrin dhe do marrim vendime për kërkesat tuaja. Po konsiderojmë heqjen e TVSH-së për të gjithë sektorin tuaj.

Ne po përgatitemi tani që kanë filluar diskutimet për buxhetin për heqjen e TVSH-së, por ajo që ne do të bëjmë është se do të rimbursojmë TVSH por jo heqj të TVSH-së, do bëjmë rimbursim akcize, jo heqje akcize, pasi kjo gjë lë vend për abuzime.

Kjo nuk mund të bëhet nëse nuk bashkëpunojmë për GPS-in, pra nëse ka operatorë që thonë nuk e vendos, si ta dimë ne sa kilometra ka bërë. Pra do ta bëjmë vetëm me këtë pakt. Dhe nëse ju pranoni këtë transparencë ne do të vazhdojmë me TVSH dhe akcizën. Por duhet të kemi dakordësi.”- deklaroi kryebashkiaku.

Po ashtu, Veliaj shtoi se bashkia ka akorduar 1 milionë euro si fillim për operatorët. Megjithatë këto para cash do të shpërndahet në bazë të raportit të GPS për rrugët që kanë bërë.

“Kam akorduar një fond prej 1 milionë euro si një fillim i ri, pasi nuk besoj se skema e subvencionit rrit cilësinë, por thjeshtë mbulon disa gjëra që duhet.

Cilësinë e rrit transparenca. Meqë jemi në kushte të jashtëzakonshme po marr vendim të jashtëzakonshëm. Shpërndarjen e kësaj do e zbatojmë nga raporti që na vjen nga GPS, në bazë të lëvizjes së autobusëve. Paratë nuk janë të miat, se të ishin të miat ua falja, por të publikut. Më pas nëse kjo nuk mjafton do të rishikojmë buxhetin. Pra ky është një subvencion cash për operatorët dhe do të monitorohet me transparencë me GPS dhe shitjen e aboneve.”– tha Veliaj.