Vendosni fjalën kyçe....

Manastirliu në spitalin e Krujës: Të shtruar edhe adoleshentë e fëmijë, po hetojmë në disa pista


Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka udhëtuar sot drejt Krujës, për të vizituar nga afër pacientët e shtruar në spital, për shkak të helmimit.

Në një prononcim për mediet, Manastirliu tha se tashmë kanë nisur hetimet epidemiologjike për rastet e helmimit. Sipas ministres po hetohet në disa pista.

“Kam ardhur për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të qytetarëve që marrin shërbim në spitalin e Krujës.

Situata paraqitet e qetë, pa komplikacione, nuk kemi ndonjë qytetar me gjendje të komplikuar shëndetësore. Janë rreth 370 qytetarë që janë paraqitur në spital ku kanë marrë shërbimin e nevojshëm. Sot janë paraqitur 60 qytetarë. Tashmë janë edhe disa pacientë të tjerë që po marrin shërbim në urgjencë, janë rreth 30 qytetarë aktualisht. Ka edhe adoleshentë, fëmijë e të rritur.

Sa i përket hetimit epidemiologjik, të gjithë strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bashkisë po kryejnë të gjitha investigimet në të gjitha pista e mundshme. Janë marrë mostrat e ujit dhe ushqimeve, janë një seri pistash që po investigohen. Po pyeten të gjithë qytetarët se çafër kanë konsumuar dhe do kemi rezultat përfundimtar kur të kemi rezultatin e analizave mikrobiologjike.”– tha ministrja.

Ajo shtoi se nëse do të ketë raste të shtuara janë marrë masat që për trajtimin e pacientëve të vendoset në dispozicion një pavion i caktuar në Spitalin Rajonal të Durrësit: Kemi marrë masa që nëse do të ketë raste të shtuara edhe spitali i Durrësit mund të vendoset një pavion për të pritur pacientët.”

Ministrja theksoi se “Hetimet po kryhen në shumë pista”, ndonëse dyshimet janë përqendruar kryesisht në helmimin nga uji i pijshëm.