Kryeministri Edi Rama është futur në replika me një qytetar në “Facebook”, duke deklaruar se njohja e patentave shqiptare në Gjermani është në fazën e fundit të miratimit në Bundesrag.
Rama kishte publikuar disa foto nga mjediset e reja të punës dhe shërbimit për drejtuesit e mjeteve nga DPSHTRR në Fushë Prezë.
Diskutimet nisën pasi një komentues u ankua në lidhje me shërbimet dhe nepotizmin e punonjësve në Drejtorinë e Transporteve.
“Më mirë të ishin të shkatërruara nga jashtë dhe të forta nga brenda, sesa kështu, ku u bëni ambjente luksoze, por të mbyt korrupsioni, injoranca, militantizmi e nepotizmi. Gjithsesi ti vazhdo t’u japësh ushqim shpirtëror kokëboshëve që të ndjekin. Në fund të fundit nuk ke shumë faj. Ata që të kanë vënë dhe mbajnë aty ku je, kështu ta kërkojnë ta luash pjesën.”- u shpreh qytetari.
Kryeministri u kundërpërgjigj se shërbimet kalojnë në formë dixhitale dhe sistemi nuk njeh as militantë dhe as kushërinj.
Dhe këtu shton se po përfundon procesi i njohjes së patentave shqiptare në Dhomën e Lartë të parlamentit gjerman, Bundesrat.
“kush merr shërbime sot në institucionet e Drejtorisë së Transporteve e di mirë se nuk të mbyt as korrupsioni, as injoranca, sepse shërbimet kalojnë përmes sistemeve digjitale që nuk njohin as militantë as kushërinj! Dhe kaq e vërtëtë është kjo, sa që e provon fakti që procesi i njohjes së patentave shqiptare në Gjermani, gjë që as nuk mendohej dot deri disa vite më parë, sot është në fazën e fundit të miratimit në Bundesrat, dhoma e landeve të Gjermanisë! Sharjet e përqeshjet nuk janë argumenta.”- shkruan Rama.