Vendosni fjalën kyçe....

“Kur qeverisnit ju mbahej gishti në hundë nga era e keqe” – Basha i përgjigjet Ramës: Kujto cili bos droge porositi kat në ndërtesën që ngrite


Pas sulmeve të kryeministrit Edi Rama ndaj opozitës, është përgjigjur kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Basha akuzoi Ramën se për 11 vite la të hapur një gropë në qendër të Tiranës që kundërmonte erë të keqe.

“Do e marr fjalën pas parafolësit, sikurse kërkuesit të interpelancës i lind e drejta për replikë. Opozita s’ka të lëshojë asnjë nga këto dy të drejta në këtë foltore. Se çfarë katastrofe ka qenë keqadministrimi dhe korrupsioni me të ashtuquajturin rindërtim dhe pandeminë, shqiptarët e njohin në lëkurën e tyre. Pavarësisht se janë harxhuar shumë para dhe kohë televizive për gënjeshtra dhe reklamë, disa fakte nuk shlyen dot, kur njerëzit çohen në mëngjes në çadra apo në banesat e familjarëve apo banesa me qira. Janë akoma larg pallateve të rrafshuara në Kombinat, ku zona që do të shpronësohej nuk është shpronësuar. Hajdutët e fatkeqësisë kanë bërë gati planin ku aty ku rrafshuan pallatet, dhe iu kanë zhvatur lekët shqiptarëve.

Kështu që nëse ka diçka për të mbajtur duart në hundë është era e kërmës që qelb këtë sallë. E regjimit të instaluar duke blerë vota, duke shkrirë në një shtetin me partine dhe të parin që krekoset mbi këtë pleh që nuk ka lidhje me demokracinë dhe aspiratat e shqiptarëve për një jetë më të mirë. Ka lidhje me babëzinë për pushtet, për para që iu ka zënë sytë. Kjo babëzi nuk ju pengoi që ndërkohë që COVID ju ka penguar që të ngriti shtëpinë të ngrinit godinën 50 katëshe me bosët e kokainës. Ti duhet ta dish se kush bos kokaine ka rezervuar një kat në atë godinë. Mund të shpiket ndonjë parfum si gropa e Ajdin Sejdisë. Ti që na flet për të bukurës, për shijen për aromën e PD. Shkrimtari më i madh e ka quajtur PD, partia e shijes. Ti që ankohesh kur nuk ke gjetur gjendjen sanitare që të akuzon pasardhësi yt. Gropën e mbylla unë dhe shndërrova në lulishte. Kurse paraardhësi yt do të bëjë dhe aty kulla, nga paratë e drogës.”- tha Basha.

Pak më herët, Rama tha se në kohën kur qeveriste PD në qytetet e vendit mbahej hunda me dorë nga era e keqe.

“Ndryshimi mes nesh dhe jush është se juve sytë ju janë imunizuar prej shumë vitesh nga plehrat, nga shëmtia, nga deformimi, se ndryshe nuk do të ishit krenarë pa kthim për gjithë masakrën urbane, që keni lejuar dhe keni promovuar si një mrekulli të tetë të botës në Shqipëri. Nuk do të ishit krenarë. Në kohën kur ju qeverisnit, duhej dalë me duar në hundë e në sy për të mos parë e për të mos marrë erë.”– shprehej Rama.