Vendosni fjalën kyçe....

“Ne do marrim arin, pastaj Krimenë” – Presidenti ukrainas pasi gjykata holandeze kthen artifaktet e lashta në Kiev


Një gjykatë në Holandë ka ‘ndezur’ një luftë të ashpër fjalësh midis politikanëve në Krime e Kiev, pasi vendosi që, pas një beteje të gjatë ligjore, një tufë me relike të arta nga gadishulli tani duhet t’i dorëzohet Ukrainës.

Të martën, kryetari i Gjykatës së Apelit vendosi që grumbulli i arit skith që aktualisht ekspozohet në muzeun ‘Allard Pierson’ në Universitetin e Amsterdamit, duhet t’i jepet Kievit. Koleksioni ishte huazuar nga Krimea që nga viti 2014, kur gadishulli u mor nga Rusia.

“Gjykata ka vendosur që ‘Thesaret e Krimesë’ duhet t’i dorëzohen shtetit ukrainas.” – tha gjyqtarja Pauline Hofmeijer-Rutten, duke shtuar se ato ishin ‘pjesë e trashëgimisë kulturore të shtetit ukrainas’ dhe i përkisnin pjesës publike të Fondit të Muzeut Shtetëror të Ukrainës. Gjykata vendosi se nuk kishte më asnjë detyrim për t’i kthyer ata në Krime dhe autoritetet e reja të rajonit.

Koleksioni, i cili përbëhet nga më shumë se 2,000 pjesë të mbledhura nga një popull nomad që dominoi stepën pontike nga shekulli i VII para Krishtit deri në shekullin e III para Krishtit, është ekspozuar në universitet për shtatë vitet e fundit. Si Kievi ashtu edhe Moska kanë pretenduar pronësinë, duke bërë që institucioni të pezullojë dorëzimin e tyre derisa të zgjidhet mosmarrëveshja.

Në vitin 2017, muzetë në Gadishullin e Krimesë apeluan një vendim të mëparshëm gjykate për kthimin e arit në Ukrainë. Më pas, në vitin 2019, Gjykata e Apelit anuloi vendimin për dorëzimin e koleksionit në Kiev, por shtyu çdo vendim derisa të dyja palët të kishin siguruar dokumentet e nevojshme.

Pas vendimit të gjykatës të së martës, kreu i Republikës së Krimesë, Sergey Aksenov, shprehu zemërimin e tij për rezultatin përfundimtar të procesit gjyqësor, duke shkruar në kanalin e tij Telegram se ishte ‘një vendim i padrejtë dhe i paligjshëm, megjithëse i pritshëm. Paragjykimet e gjykatave evropiane dhe qëndrimi i tyre armiqësor ndaj Rusisë dhe Krimesë. Në fakt, kjo është një gjethe fiku që mbulon një sulm të pafytyrë nga sulmuesi’.