Vendosni fjalën kyçe....

Lagjja me vilat luksoze të “Rolling Hills” iu paraqit fëmijëve si fshat në librin e Historisë, Evis Kushi: Do të rishikojmë tekstet shkollore


Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka reaguar në lidhje me skandalin e pasaktësive të teksteve shkollore, ku lagjja e të pasurve në periferi të Tiranës, i paraqitet fëmijëve në librin e historisë së klasës së katër si modeli i fshatit shqiptar.

Kushi ka deklaruar se do të bëhet një rishikim i teksteve shkollore.

“Nisur nga shqetësimet e ngritura së fundmi në lidhje me ndonjë pasaktësi apo pasqyrim jo të përshtatshëm të realitetit në tekstet tona mësimore, zhvilluam në MAS një takim me drejtuesit kryesorë të rrjeteve profesiona­le, të cilët u angazhuan që së bashku me stafet e specializuara të rishikojnë në detaje të gjitha tekstet në arsimin tonë parauniversitar. Para pak vitesh ne kemi realizuar një reformë të thellë, duke u dhënë mundësi nxënësve tanë që të mësojnë me tekste më cilësore, por puna do të vazhdojë pa u ndalur për të garantuar standarde të larta dhe cilësi në të gjitha aspektet e procesit mësimor.”- tha ministrja në një takim me drejtuesit e rrjeteve profesionale.

Sjellim ndërmend se në librin e Historisë, realiteti i fshatrave shqiptarë përshkruhej në fakt krejtësisht jashtë çdo realiteti të periferive të vendit. Vilat e ‘Rolling Hills’

që kushtojnë qindra mijëra euro paraqiten në tekst, ku thuhet se jeta në fshat është e bukur e jetohet mirë.

“Pothuaj të gjithë shtëpitë e fshatit janë bërë të reja. Rruga automobilistike të çon drejt e në qendër të fshatit. Me rrugë të aslfaltuara, ai lidhet jo vetëm me qytetin, por edhe me fshatrat të tjera.“- thuhet në përshkrimin e tekstit të Historisë së klasës së katërt.