Deputeti i LSI-së Petrit Vasili është nervozuar sot në mbledhjen e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit, lidhur me mënyrën e përcaktimit të orarit për mbledhjen e radhës tjetër.
Deputetja e PS-së, Blerina Gjykameti, propozoi orën 17:00 që të mos kishte përplasje me mbledhjet në komisionet e tjera, gjë që u mbështet edhe nga anëtarët demokratë të Komisionit.
Mirëpo kjo gjë duket se e acaroi deputetin e LSI-së, Petrit Vasili i cili u ankua se ende nuk ishte caktuar dita se kur do të mblidhej Komisioni dhe kështu që s’kishte pse të caktohej një orar.
“Gjëra të tilla nuk kanë ndodhur ndonjëherë. Biem dakord për orën por nuk përcaktojmë ditën. E lëmë këtë muhabetin e orës tani, se ky është muhabet koti. Kemi një lloj orientimi, shiko mund të mblidhemi edhe pasdite, pra që nuk është ndonjë problem. Por t’i lëmë hapur se ne kur s’kemi ditë nuk kemi çfarë të mblidhemi.”– u ankua Vasili me tone të larta.
Kryetari i Komisionit Enkelejd Alibeaj, tha se lidhur me datën do të diskutohej me nënkryetarin Toni Gogu dhe se deri të hënën do të kishte një vendim zyrtar si për datën ashtu edhe për orarin e caktuar.
“Një propozim që t’i përbashkojë të gjitha kërkesat. Në cilësinë e kryetarit, të zv.kryetarit, edhe të sekretarit të biem dakord.
Me fleksibilitet, përjashtuar të shtunë dhe të dielë. Ora si parim do të mbetet ajo që Gjylameti tha, por nëse do të gjejmë një dakordësi të gjejmë ditën dhe orën sipas rregullores të njoftuar së paku 48 orë më parë. Kështu që deri të hënën, unë besoj se së bashku me zotin Gogu dhe zotin Xhoxhi besoj se do të kemi caktuar një ditë për mbledhjen e rradhës tjetër.”– tha Alibeaj.