Vendosni fjalën kyçe....

Damian Gjiknuri padit për shpifje Gazment Bardhin: Gaztori i Lulit të gjejë avokat


Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri ka paralajmëruar se do të padisë për shpifje Sekretarin e PD-së Gazment Bardhi, një ditë pas akuzave të këtij të fundit në Kuvend.

Bardhi publikoi dje në Kuvend disa të dhëna për udhëtimet jashtë shtetit që sipas tij ka kryer Gjiknuri sëbashku me dy biznesmenët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

“Për të gjitha deklarimet e djeshme, të përsëritura dhe ditën e sotme, kam autorizuar dorëzimin e padisë për shpifje ndaj Gazit të Lulit.

Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, ju drejtova zyrtarisht autoriteteve përgjegjëse dhe nga 17 datat e pretenduara nga PD si lëvizje të miat jashtë vendit, sipas sistemit TIMS 14 rezultojnë të pavërteta.”- shkruan Gjiknuri.

Ky njoftim për padi vjen pasi një ditë më parë, në seancën plenare në Kuvend, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, publikoi disa të dhëna të TIMS-it që faktonin se ish-ministri i Energjetikës ka bërë 17 udhëtime së bashku me përfituesit kryesore të parave të shtetit për inceneratorët, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

Postimi i plotë i Gjiknurit

Shpërthimet e pakontrolluara të Gazit të Lulit faktojnë situatën e emergjencës dhe panikut që ka përfshirë lidershipin zyrtar të Partisë Demokratike. Efektin ndotës të të tillë Gazrave nuk ka incenerator as impiant që ta marrë përsipër ta trajtojë.

Për të gjitha deklarimet e djeshme, të përsëritura dhe ditën e sotme, kam autorizuar dorëzimin e padisë për shpifje ndaj Gazit të Lulit.

Për hir të transparencës ndaj opinionit publik, ju drejtova zyrtarisht autoriteteve përgjegjëse dhe nga 17 datat e pretenduara nga PD si lëvizje të miat jashtë vendit, sipas sistemit TIMS 14 rezultojnë të pavërteta.

Tre data që përkojnë me udhëtime të miat janë krejt rastësore e pa asnjë lidhje me personat në fjale: përkatësisht dy janë vizita zyrtare në detyrën e ministrit dhe një udhëtim me automjet me familjen time. Asnjë udhëtim charter. Të gjitha në linjat e zakonshme të fluturimit.

Nën presionin e “Foltores”, duket qartë se Gazi i Lulit dhe Luli i Gazit e kanë nxjerrë në shitje partinë si shpifësa me pagesë, gjobvënësa ekonomik e politik, duke ju vetofruar blerësit më të parë.

Gaztori i Lulit të gjejë avokatin dhe bëjë gati mbrojtjen në gjykatë! Siç e sfidova dje publikisht në Kuvend, hapi i dytë, të bëjë gati heqjen dorë nga mandati si shenjë reflektimi për budalliqet me pagesë që nxjerr nga goja!